Transporti që nuk njeh bllokada, trenat e Kosovës mes sfidave e shpresës - Telegrafi udhëton me Trainkos
Çdo ditë, qindra qytetarë në Kosovë zgjedhin transportin hekurudhor si mjetin e tyre të udhëtimit. Numri i pasagjerëve ndryshon sipas ditëve, por shifrat tregojnë një rritje të përdorimit të trenave si brenda ashtu edhe jashtë qyteteve.
Sipas stafit të Trainkos, vetëm gjatë një dite afro 300 qytetarë përdorin trenin për lëvizje. Linja ditore fillon në orën 05:30 nga Peja, ndërsa përfundon në orën 18:30, po ashtu në Pejë, ku edhe ndalet stafi për natën.
Në një intervistë për Telegrafin, makinisti i Trainkos, Fatlind Bullatovci, shpalos sfidat e përditshme me të cilat përballen ekipet hekurudhore – nga kalimet e makinave e kafshët nëpër hekurudhë, deri te individët e pandërgjegjshëm që gjuajnë me gurë vagonët.
“Përveç vendkalimeve që ju tregova më herët, po hasim në një fenomen apo dukuri negative që po na gjuajnë me gurë, nuk e di pse po ndodh si fenomen, duke pasur parasysh që rrezikon pasagjerët. Një rast veç ka ndodh kur e ka godit një vajzë në kokë. Përveç dëmeve në njerëz, po kemi edhe dëme materiale, pasi pa ne thyejnë edhe xhamat, pastaj po duhet investuar në gjëra që nuk ka nevojë të investohet. Andaj ju bëjë thirrje që mos të na gjuajnë me gurë, mos të kemi këso dukuri negative”, tha Bullatovci për Telegrafin.
Nga ana tjetër, udhëtarët e rregullt e përshkruajnë udhëtimin me tren si një eksperiencë të rehatshme dhe të shpejtë, sidomos për ata që dëshirojnë të shmangin trafikun rrugor.
Çmimet e biletave janë më të përballueshme krahasuar me transportin rrugor: një biletë për nxënësit ose pensionistët kushton 2 euro, ndërsa për autobus kushton rreth 6 euro vetëm në një drejtim.
Drejtori i Departamentit të Operimeve në Trainkos, Sabit Berisha, thekson se pavarësisht sfidave, treni mbetet mjeti më i sigurt për qytetarët.
“Transporti i udhëtarëve është ai i cili ofron shërbimin për pasagjerë dhe ne i kemi dy trena vajtje-ardhje nga Peja në drejtim të Prishtinës dhe nga Prishtina në drejtim të Pejës. Sa i përket kushteve të cilat ofrohen, janë kushtet të cilat i keni parë. Në të ardhmen e afërt ne synojmë t’iu ofrojmë kushte më të mira. Ne kemi një pengesë në linjën 10-të, pasi nga viti i kaluar qëndrojnë pesë vagonë në Han të Elezit të riparuar me rivrim të mesëm, që kanë një komoditet jashtëzakonisht më të madh se këta që janë aktualë, por shpresojmë që brenda këtyre dy-tre muajve t’i sjellim dhe t’i fusim në funksion”, u shpreh Berisha.
Megjithatë, sfidat dhe puna e përditshme e stafit të hekurudhës mbeten garanci për shërbim cilësor. Pas çdo udhëtimi, ata përballen me mirëmbajtjen e linjave, kontrollin e sigurisë dhe koordinimin e orareve – duke garantuar që udhëtarët të arrijnë në kohë dhe në kushte të sigurta.
Telegrafi vazhdon të trajtojë çdo problematikë apo të arritur nga qytetarët e Kosovës, ndërsa ju lexues mund të na shkruani çdoherë në emailin tonë: lokale@telegrafi.com. /Telegrafi/


