Tetë ditë protestë për rrugën Dollc–Zahaq, banorët kërkojnë nënkalim dhe mbikalim
Banorët e Lugut të Leshanit dhe Kliqinës kanë hyrë në ditën e tetë të protestës, duke kundërshtuar mungesën e nënkalimit për këmbësorë dhe mbikalimit për automjete në kuadër të projektit të rrugës Dollc–Zahaq.
Në mbështetje të kërkesave të banorëve janë shprehur edhe deputetët e LDK-së, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.
Zemaj ka thënë se kërkesat e banorëve lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe jetën e përditshme të tyre, duke kërkuar që nënkalimi për nxënësit dhe mbikalimi për automjetet të jenë pjesë e zgjidhjes së projektit.
Ndërsa, deputeti tjetër i LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se Kliçina nuk mund të mbetet pa lidhje infrastrukturore, duke mbështetur kërkesën e banorëve për ndërtimin e një nënkalimi për këmbësorë dhe një mbikalimi për automjete.
Gashi ka theksuar se kjo lidhje infrastrukturore ka rëndësi për banorët e disa fshatrave, pasi lidh Lugun e Drinit me Lugun e Leshanit, Lugun e Baranit, Deçanin dhe Gjakovën.
Sipas tij, një projekt rrugor nuk duhet të shkaktojë ndarje të banorëve dhe të vështirësojë qasjen e tyre në prona, toka bujqësore dhe zona të tjera.
Ndërkohë, Telegrafi ka kontaktuar zëdhënësin e Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova, lidhur me protestën dhe situatën në terren. Rugova ka thënë se Policia është në dijeni për pakënaqësinë e banorëve dhe është në vend të ngjarjes, duke theksuar se kërkesa e tyre lidhet me ndërtimin e një nënkalimi.
“Ata shfaqin pakënaqësinë e tyre lidhur me nënkalimin nuk kemi diçka të jashtëzakonshme ”, ka deklaruar Rugova.
Banorët vazhdojnë protestën, duke kërkuar që në projekt të përfshihen zgjidhjet infrastrukturore që, sipas tyre, do të garantonin qarkullim më të sigurt dhe lidhjen e zonave përreth. /Telegrafi/


