Please enter at least 3 characters.

Termocentrali, ndërtuesi dihet për 2-3 muaj, LDK kundër

2016/01/termocentrali-nd-euml-rtuesi-dihet-p-euml-r-2-3-muaj-ldk-kund-euml-r_hd.jpg

LDK thotë se brengoset nga shkelja e ligjit dhe fakti që ky proces po bëhet në fund të qeverisjes, por Fadil Ismaili thotë se sërish do jetë ministër dhe ai do ta prej shiritin e termocentralit, raporton RTK, transmeton Telegrafi .

"Me aprovimin e termave të referencës, javën e ardhshme, referenca së bashku me ofertën shkojnë tek investitori. Të dyja së bashku, janë të strukturuara në mënyrën më të mirë të mundshme", tha Fadil Ismajli, ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Por, kundër mënyrës së ndërtimit të termocentralit të ri, është shprehur partia më e madhe opozitare në vend.

LDK i konsideron të paligjshme vendimet e djeshme të Komitetit Drejtues për ndërtimin e “Kosova e Re”.

Kjo parti vlerëson se largimi i “Kosovës B” dhe Mihjes, nuk mund të bëhen pa ndryshimin e Strategjisë për Energjinë.

"Në mënyrën qysh e ka planifikuar komiteti, kjo përbën shkelje ligjore. Në qeverinë e ardhshme nuk do të respektohet ky vendim. Strategjia duhet të ndryshohet vetëm nëpërmjet Kuvendit të Kosovës", tha Avdullah Hoti, anëtarë i kryesisë së LDK-së.

Ministri Ismajli thotë se tashmë ka marrë edhe miratimin e dy komisionerëve të Bashkimit Evropian, që të ecet përpara me projektin.

Por, Avdullah Hoti, konsideron se në fund të mandatit të kësaj qeverie, nuk mund të merren vendime të rëndësishme.

"As Kosova e re dhe as Trepça, që janë projekte madhore, nuk duhet të ndërlidhen me qeveritë. Mendoj se në qeverinë e ardhshme do të jem këtu dhe do ta prej shiritin e Kosovës së re", tha tutje ministri Ismaili.

"Projekte kaq madhore nuk mund të merren në fund të mandatit. Ka 7 vite që është kjo qeveri dhe tash në fund tentohet që të kryhen këto punë. Jemi të brengosur se mund të shkelet ligji", ka vijuar Hoti.

Termocentrali “Kosova e Re”, sipas planifikimeve, do të ketë kapacitete prej 600 megavatësh. 300 megavatët e parë, do të duhej të hynin në funksion në fillim të vitit 2018, ndërsa 300 të tjerë, jo më vonë se fundi i këtij viti.

Në garë për ndërtimin e termocentralit të ri janë: “Sithe Global”, “Contour Global” dhe “Park Holding”. /Telegrafi/