Please enter at least 3 characters.

Teri Hatcher flet për dështimin më të madh të karrierës së saj: Shpresoj të kem një shans të dytë

Aktorja Teri Hatcher thotë se nuk ka shumë gjëra për të cilat pendohet, por pranon se ka një vendim profesional që do të donte ta ndryshonte po të kishte mundësi.

E pranishme në premierën në Broadway të shfaqjes “The Balusters”, ku kishte shkuar për të mbështetur kolegun e saj nga seriali “Desperate Housewives” (në shqip shpesh përmendur si “Shtëpiake të dëshpëruara”), Ricardo Chavira, 61-vjeçarja zbuloi se ende shpreson që një ditë të ngjitet edhe vetë në skenën e Broadway-t - pasi një mundësi të tillë e kishte humbur më parë.

Hatcher tregoi se në fund të viteve ’90 kishte refuzuar një rol kryesor në një mjuzikal shumë të famshëm, vendim që e konsideron si “humbjen” më të madhe në karrierë, shkruan People.

“Shpesh them se është pendimi im më i madh, edhe pse në përgjithësi nuk besoj te pendesa”, u shpreh ajo. “Ishte viti 1999, pasi unë u përfshiva e para në turne si Sally Bowles në produksionin e ‘Cabaret’, nga Rob Marshall dhe Sam Mendes”, rrëfeu Hatcher. “Për shtatë muaj performova në katër qytete, bashkë me Norbert Leo Butz.”

“Ishte një përvojë e jashtëzakonshme”, vazhdoi ajo. “Në fund të turneut më pyetën të shkoja në Broadway. E refuzova sepse kisha një fëmijë të vogël, pas meje ishin tashmë shtatë muaj shfaqjesh dhe isha e rraskapitur. Por sot, kur e shoh nga distanca, mendoj se ajo ishte mundësia ime për të performuar në Broadway”.

Megjithatë, aktorja nuk e ka humbur shpresën: “Ndoshta më vjen një mundësi e dytë. Shpresoj”, shtoi ajo.

Prodhimi i rikthyer i “Cabaret”, nën regjinë e Sam Mendes, u shfaq premierë në Broadway më 19 mars 1998. Në rolet kryesore ishin Alan Cumming si Emcee dhe Natasha Richardson si Sally Bowles, dhe të dy u vlerësuan me çmimin Tony për performancat e tyre.

Edhe pse ajo vetë ëndërron ende të ngjitet në skenat e teatrit, Hatcher ishte në premierë për të mbështetur debutimin e madh të Ricardos Chavira. Ajo përmendi se “Desperate Housewives” është xhiruar “shumë kohë më parë dhe kujtimet janë disi të turbullta”, por theksoi se e vlerëson faktin që kanë qëndruar në kontakt dhe e kanë ruajtur miqësinë.

Në event ishte edhe kolegu i tyre nga seriali, Mark Moses. “Jam shumë e emocionuar që jam këtu sonte. Për të, kjo është një lloj fillimi i ri — të debutosh në Broadway në moshën 54-vjeçare, në një shfaqje të shkruar nga një fitues i Pulitzer-it. Është vërtet e jashtëzakonshme”, tha Hatcher për suksesin e Chaviras.

Shfaqja “The Balusters”, e shkruar nga fituesi i çmimeve Tony dhe Pulitzer, David Lindsay-Abaire, dhe e drejtuar nga fituesi i Tony, Kenny Leon, është një dramë komike që ndjek një këshill banorësh tepër të përfshirë e të apasionuar, të cilët përfundojnë në mes të një “lufte lagjeje” për çështje në dukje të parëndësishme - si rregullat për hedhjen e mbeturinave, gardhe verande historikisht të pasakta dhe vendi ku duhet vendosur një tabelë “STOP”. /Telegrafi/