Temperaturat e larta, sot do të ketë kufizime në auto-udhë për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton qytetarët dhe operatorët ekonomikë se, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave për të enjten, do të zbatohet kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
MIT njofton se në autoudhë kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperatura e parashikuar do të jenë më lartë se 32 gradë.
Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi lejohet pa kufizime.
Nga kufizimi përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Lusim operatorët dhe ngasësit që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar. /Telegrafi/


