Please enter at least 3 characters.

Të rinjtë britanikë nuk po pinë më - pra, si do të duket një mbrëmje e së shtunës për brezat e ardhshëm?

Të rinj duke pirë në një lokal në Njukasël më 2005

(Foto: Jeff J Mitchell / Reuters)

Nga: Emma Brockes / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Ishte nëntori i vitit 2024 dhe fëmijët e mi puritanë amerikanë merrnin pjesë në panairin e tyre të parë të vjeshtës në shkollën e re fillore angleze. Ka shfaqje me laser, hotdogë dhe një lojë me shorte biletash. Ka gjithashtu një bar për prindërit, gjë që i bëri dy binjaket e mia të shtangen. Jabanxhinjtë në këtë vend përjetojnë shumë dallime kulturore, por ndoshta asnjë nuk është aq goditës sa ky: “A është alkool”? - thotë fëmija im, duke më parë me përbuzje si një anëtare e vogël e talebanëve. “Në një aktivitet shkolle”? Në këtë moment kisha pirë dy çokollata të nxehta me liker dhe ia dhashë asaj një buzëqeshje më të madhe sesa duhet. Po, të dashurat e mia; mirë se vini në Britani.

Ose, të paktën, mirë se vini ndoshta në mbetjet e fundit të asaj se si Britania ka qenë dikur. Ka kohë që e dimë përmes rrëfimeve se njerëzit në këtë vend po pinë më pak se më parë. Brezi im, brezi X, është thellë në moshë të mesme dhe shumë prej nesh - përveç ndonjë rasti kur shpëton nga një aktivitet shkolle dhe përveç rasteve më të mëdha - e kanë lënë pirjen. Aty ku anomalitë bien më shumë në sy është te brezat poshtë nesh, te të rinjtë, sjellja e të cilëve ndryshon nga e jona kur ishim në të njëjtën moshë. Këtë javë erdhi konfirmimi zyrtar në formën e një ankete me 10 mijë persona, porositur nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar [NHS], që zbuloi se pothuajse një e katërta (24 përqind) e të rriturve në Angli nuk kishin pirë alkool në vitin 2024 - një rritje nga pak më pak se një e pesta (19 përqind) në vitin 2022.

Lexo po ashtu nga Emma Brockes:
- A duhet të më interesojë se çfarë mendon Sarah Jessica Parkeri për librat?
- Holivudi është po aq i frikësuar nga bota - sa ti dhe unë!
- Jo, ne “nuk mundemi”?

Në plan të parë, sigurisht, kjo është diçka e mirë. Jo për industrinë e pijeve, padyshim, por për NHS-in dhe gjithashtu për njerëzit që përpiqen të maksimizojnë jetëgjatësinë e tyre - ku futemi të gjithë ne. Vetëpërmirësimi rigoroz përmes zbatimit të të dhënave është mënyra se si e kalojmë kohën e lirë këto ditë; si rezultat i së cilës, pasi lexova këtë mëngjes një artikull për ushqimet që reduktojnë kancerin, bleva një “sallatë me grurë, thjerrëza dhe perime të gjelbra” që pothuajse me siguri nuk do ta ha. Çfarë është ajo kokërr gruri? Askush nuk e di. Çështja është se po përpiqemi.

Nëse dukem sarkastike, nuk e kam me qëllim. Më pëlqen të mos pi. Dhe, është e rëndësishme të mos bashkohesh me radhët e atyre njerëzve në brezin mbi mua të cilët, në vitet ’90 të shekullit XX, kur ndalimet e duhanit u përhapën në gjithë ShBA-në, shkruanin ese të gjata duke argumentuar se cigaret përfaqësonin shpirtin aventurier të vendit dhe se, si pasojë, duhanpirësit ishin më interesantë se njerëzit që pinin “lëng të gjelbër”. Këta ishin, objektivisht, njerëzit më të këqij në botë dhe, megjithëse askujt nuk i pëlqen dikush që mundohet të lë alkoolin, është e rëndësishme të mos bëhesh si ata.

Interesi im lidhet më shumë me atë se si do të duket kultura rinore pa alkool. Rezultatet e reja të anketës, të porositura si pjesë e Anketimit Shëndetësor për Anglinë, zbuluan se gratë kanë pak më pak gjasa të pinë sesa burrat dhe se, në të gjitha grupmoshat, të rinjtë janë abstenuesit kryesorë. Në anketën e NHS-së të vitit 2022, brezi Z rezultoi se kishte përqindjen më të ulët të njerëzve që pinin shpesh (10 përqind), krahasuar me 34 përqind te grupmosha 55-64 vjeç dhe 37 përqind te 65-74-vjeçarët. Një pjesë e kësaj lidhet me koston e jetesës, por shumica ka gjasa të jetë çështje kulturore. Thjesht nuk është “trend” të bëhesh tap.

Në rastin tim, vendimi për ta ulur konsumin kishte më pak të bënte me trendët kulturorë dhe më shumë me kolapsin e papritur e të trishtuar të metabolizmit tim, plus faktin se e ndërrova mjekun e kujdesit parësor. Gjatë intervistës së parë, disa vite më parë, mjekja ime e re shënoi se nga çfarë kishte vdekur secili në familjen time deri në tre breza pas, përpara se të më shihte rreptë. “Po të isha në vendin tënd, nuk do të pija”, tha ajo. “Fare”. Ishte e ashpër, por kishte të drejtë.

E, megjithatë, imagjinata ime ende lëkundet. I shoh dy fëmijët e mi dhe pyes veten se si, kur të jenë 25 vjeçe, do të duket një natë e së shtunës jashtë nëse nuk përfundon me shtrirje gjysmë në tokë e gjysmë mbi divan duke qarë me [këngëtaren] Elaine Paige që këndon baladën e famshme nga [shfaqja] Chess. Nga do të vijnë historitë e tyre të luftës? (Luftë e vërtetë, me gjasë, por le të mos mendojmë për këtë.) Çfarë do të kujtojnë kur të jenë në moshën time?

Nuk ka asgjë qesharake te shoqja ime që volli në një kanal ngrohjeje dhe, për pjesën tjetër të qirasë së saj, nuk arriti kurrë ta hiqte erën e të vjellës nga apartamenti. As qëndrimi, duke u lëkundur në mes të një rruge të ngarkuar automobilistike duke u përpjekur të gjesh një strategji për të kaluar në anën tjetër që nuk përfshinte vendosjen e njërës këmbë përpara tjetrës, nuk është aspak qesharake. Ua tregova këtë histori fëmijëve të mi dhe ato u tmerruan. “Mund të kishe vdekur”, thanë ato, që ishte pikërisht momenti mësimor që po kërkoja.

Ndërkohë, gjetjet e reja nuk janë diçka për të pasur kënaqësi sepse, edhe me këto shifra të reduktuara, ne jemi ende mjaftueshëm një komb alkoolik që i kushtojmë NHS-it në Angli 4.9 miliardë paundë [5.56 miliardë euro] në vit në sëmundje të lidhura me alkoolin. Në këtë frymë: në fakt po pres me kënaqësi të ha sallatën time. Do t’ia shtoj një vezë, sepse, meqë të mos pish është jashtëzakonisht e mirë për shëndetin, siç e di kushdo, në fakt janë proteinat ato që do të na shpëtojnë. /Telegrafi/