Të përulurit dhe të pushtetshmit
Pushteti, me dispozicionet e gjithanshme të tij, është duke i disiplinuar dhe shtypur zërat rezistues. Këtë është duke e realizuar në dy mënyra: në njërën anë aplikon joshjen për njerëzit e shquar dhe në anën tjetër linçimin për qytetarët e ngratë.
Nuk mund ta mbaj gojën kyçur, por, ç’është e vërteta, as të mos rezistoj. Në fund fare, cili do të ishte funksioni apo kuptimi i ekzistencës tonë? Nëse e trajtojmë një element të tillë, në rrafshin dhe kontekstin filozofik, është e folura që, sipas Heideggerit, e konstituon thellësisht Dasein-in apo Qenësimin, ndërkaq rezistenca, për shkrimtarin Kamy, përbën dhe përplotëson ekzistencën tonë. Në këtë kontekst, e folura dhe rezistenca duhet të jenë ushqimi dhe mënyra e përditshme e të jetuarit të akësecilit. Megjithatë, shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës vazhdojnë të jenë në autostradën e heshtjes dhe të mos rezistencës. Mirëpo, nëse qytetarët mbajnë gojën mbyllur dhe struken në qoshe, kush duhet të fajësohet për një gjendje të tillë? Qytetarët apo Pushteti? Përgjigja e cinikëve, siç mund të merret edhe me mend, do të tingëllonte pak a shumë kështu: ekziston hapësirë e mjaftueshme për kritikë, por faji është tek qytetarët që nuk flasin dhe rrinë mënjanë!
Megjithëkëtë, a nuk është Qeveria e Kosovës që kërkon me ngulm të heshtim, ta mbajmë gojën mbyllur dhe të mos rezistojmë? Gjithsesi. Gjithsesi. Kjo është një e vërtetë arkimediane, e pakundërshtueshme dhe apodiktike. Të gjithë ata, qytetarë të ngratë, të cilët e kanë kritikuar Qeverinë për zallamahinë, katrahurat dhe përkitjet e vazhdueshme që janë duke ngjarë në realitetin tonë të zymtë, janë përballur me largim nga puna dhe kanë përjetuar linçime të pafundme nën lëkurën e tyre. Andaj, ahmarrja e pushtetit është e pashmangshme dhe thuajse e ngjashme me atë të “rrotës së kuqe”: totale, e pamëshirshme dhe tmerrësisht linçuese. Ndërkaq, njerëzit e shquar, për hir të interesave të tyre meskine, kanë hequr dorë nga idealet, parimet dhe vlerat e botës liberal-demokratike. Është e neveritshme t’i shohësh personalitete të tilla sesi ngarendin dhe vrapojnë pas veturave luksoze, banesave apo edhe veshjeve alla milanese. Meqë janë konformuar tërësisht dhe deri në palcë, nuk ndërmarrin asnjë hap të vetëm për të kundërshtuar të bëmat dhe gjëmat e këtij pushteti, i cili, nëse e vendoset në terme agambeniane, shpërfaqë lakuriqësinë dhe poshtërinë e tij.
Personazhe e tilla, mbase, do të mund të kuptoheshin mirëfilli edhe nëpërmjet një personazhi të Dostojevskit, i cili meqë kishte protestuar pro lirisë, zërit të popullit dhe barazisë së shoqërisë, ishte burgosur nga policia e Rusisë Cariste. Qëllimi kryesor i autoriteteve ruse, megjithatë, nuk ishte thjeshtë burgosja e tij, por edhe ta bindnin që t’i flakë tutje idetë e tilla. Dhe, pasi e kishin kuptuar që kishte qenë një duhanpirës i rëndë, autoritete cariste i kishin thënë se nëse nuk do të hiqte dorë nga “idetë e tij të marra”, atëherë do t’ia ndalonin pirjen e duhanit. Dhe, duke qenë që i burgosuri nuk ishte i bindur aq sa duhet në idetë e tij të proklamuara, për të cilat kishte dalë në rrugë sa për sy e faqe, kishte zgjedhur pirjen e duhanit dhe kishte fshirë idenë e lirisë dhe të barazisë nga kujtesa.
Kështu që, edhe personalitetet e tilla, për hallin e këtij vendi, kanë hequr dorë nga idetë liberal-demokratike për interesa të ngushta minore, duke u shndërruar në instrumente të legjitimimit të së keqes në Kosovë. Andaj, nënshtrimi i qytetarëve të gjorë është plotësisht i kuptueshëm dhe sadopak i arsyeshëm, por nënshtrimi i elitës është i pashpjegueshëm dhe i papranueshëm. Çdo ditë e më shumë flasin fjalë të ëmbla për Qeverinë, i thurin vargje poetike horrllëqeve të tyre dhe, brenda aftësive të tyre, angazhohen në (re)produkimin e pushtetit të saj. Por, në kurriz të kujt? Në kurriz të popullit, natyrisht!


