Please enter at least 3 characters.

"Të gjithë jemi UÇK, jemi Jashar",  Mehmeti-Selimi: Kushdo që tenton ta rishkruaj historinë, kjo është përgjigja

Në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshortja e ish-deputeti Rexhep Selimi, ka kujtuar Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe sakrificën e familjes Jashari në Prekaz, gjatë përvjetorit të lavdisë kombëtare.

“Jemi sërish, sikur çdo vit, në përvjetorin e kujtimit të lavdisë kombëtare, në kujtimin e epopesë së UÇK-së. Në historinë tonë të lavdishme, epopeja e UÇK-së është pikëtakimi ynë ku bashkohemi dhe reflektojmë unitetin e vetëdijen kombëtare. Kjo datë i mbledh së bashku të gjithë njerëzit e mirë dhe patriotë, pa dallime,” tha Mehmeti-Selimi.

Ajo përmendi shembullin e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe luftëtarëve të UÇK-së.

“Shembulli i sakrificës dhe heroizmit të tyre na bën të jemi të vetëdijshëm se sa i shtrenjtë është atdheu. Prekazi dhe Jasharajt i dhanë leksion botës për vlerën e lirisë dhe madhështinë e sakrificës,” tha Mehmeti-Selimi.

Deputetja theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës dhe respektit ndaj luftës së drejtë të UÇK-së.

“5, 6 dhe 7 marsi nuk i takojnë vetëm të kaluarës, por edhe të ardhmes sonë të dinjitetshme. Lufta jonë e lavdishme çlirimtare, përveçse të përkujtohet dhe të nderohet, ka nevojë të mbrohet edhe si vlerë, sidomos atëherë kur sulmohet pastërtia e saj, lufta e drejtë dhe kur sulmohen rrënjët e saj,” tha ajo.

Në përfundim, Mehmeti-Selimi pati edhe një mesazh për Gjykatën Speciale për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

“Kushdo që tenton të rishkruajë historinë e UÇK-së dhe Adem Jasharit, qoftë nëpër salla gjyqi, përgjigja jonë e përbashkët është se ne të gjithë jemi UÇK, ne të gjithë jemi Jashar,” përfundoi ajo. /Telegrafi/