“Tani po ju lë pak rehat prej meje”, Tayna paralajmëron një pauzë pas tetë vitesh
Tayna ka përmbyllur zyrtarisht turneun e saj veror “Genesis Summer Tour”, duke bërë të ditur se pas një vere të ngarkuar ka vendosur të marrë një pauzë nga performancat e shpeshta në diskoteka.
Artistja ka ndarë me ndjekësit një reflektim për tetë vitet e saj aktive në skenën muzikore, gjatë të cilave ka performuar rregullisht në mbrëmje dhe ambiente të ndryshme muzikore.
Këtë periudhë ajo e ka përshkruar si të lodhshme dhe kaotike, por në të njëjtën kohë edhe shumë të bukur.
Gjatë këtij sezoni, Tayna ka zhvilluar një sërë koncertesh brenda dhe jashtë vendit, ku ka takuar fansat, ka kënduar dhe festuar së bashku me ta.
Një pjesë e rëndësishme e këtij sezoni ishte edhe albumi “Genesis”, i publikuar në maj me 13 këngë. Projekti u prit me mbështetje nga dëgjuesit dhe këngët e tij u mësuan shpejt nga publiku, i cili i këndonte bashkë me Taynën gjatë performancave.
Në mesazhin e saj, këngëtarja ka vlerësuar veçanërisht lidhjen me fansat dhe emocionet që ka përjetuar gjatë kësaj vere.
Tayna ka shkruar: “8 vjet aktive, 8 vjet tu u pa me ju n’diskoteka… mendoj që e meritoj një pushim prej tyne. Kjo verë ka qenë e lodhshme, kaotike, por shumë e bukur. Kam takuar kaq shumë prej jush, kam kënduar me ju, kam qeshur, kam bërë foto e kam marrë dashuri në çdo vend ku kam shkuar. Një prej emocioneve më të mira ka qenë me pa sa shpejt i keni mësuar këngët, sidomos të ‘GENESIS’. Me nxjerrë një album prej shpirtit tim e pastaj me ardhur në klub e me ju dëgjuar juve duke i ditur fjalët më mirë se unë ndonjëherë… është një ndjenjë që nuk di si ta shpjegoj. Faleminderit secilit që ka ardhur këtë verë, që ka kënduar, bërtitur, kërcyer e ka bërë çdo natë me pas një kujtim të vetin”.
Në fund të reagimit të saj, Tayna bëri të qartë se bëhet fjalë për një shkëputje të përkohshme dhe jo për një largim nga muzika. Me një dozë humori, ajo paralajmëroi se pas kësaj pauze do të nisë një tjetër fazë në karrierën e saj.
“Tani po ju lë pak rehat prej meje… edhe diskotekat pak rehat prej meje. Shihemi në kapitullin tjetër”. /Telegrafi/


