Sveçla: Institucionet shtetërore si kurrë më parë janë angazhuar në zbulimin dhe parandalimin e aktivitetit të spiunazhit
Pas vendimit me 6 vjet burgim për Jelena Gjukanoviq, ish-zyrtare e OSBE-së për veprën penale të spiunazhit, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se institucionet shtetërore të Republikës sonë, si kurrë më parë, janë angazhuar në zbulimin dhe parandalimin e aktivitetit të spiunazhit në vendin tonë, i cili ka rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues.
“Sot, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është dënuar me 6 vite burgim Jelena Gjukanoviq, e cila ka zhvilluar veprimtari spiunazhi duke nxjerrë dhe shpërndarë te akterë të ndryshëm në Serbi dokumente të brendshme dhe të ndjeshme të institucioneve tona. Ndërkohë që institucionet e sigurisë do të vazhdojnë pa kompromis luftën kundër këtyre veprimtarive, kërkohet edhe më shumë vendosmëri në vendimmarrje dhe ndëshkueshmëri, në përputhje me peshën dhe pasojat e rënda që këto akte kanë për Republikën tonë”, ka shkruar Sveçla.
Ai po ashtu ka thënë se askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë veprim që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës sonë nuk do të tolerohet. /Telegrafi/


