Sulmohen tifozët vushtrrias nga Torcidat
Disa tifozë vushtrrias, të cilët kishin shkuar për ta përcjellë në stadium skuadrën e tyre të zemrës, janë sulmuar fizikisht pas ndeshjes Trepça – Llamkos Kosova nga tifozët mitrovicas, të cilët përdorën edhe gjësende të forta ndaj tyre, duke i lënduar një pjesë prej tyre, raporton Express.
Sezoni i ri i Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll ka nisur me incidente. Të shtunën, pas ndeshjes Prishtina – Ferizaj (1:0), tifozët e Prishtinës ‘Plisat’ u ankuan se u sulmuan nga Policia e Kosovës.
Ndërsa, vetëm pas 24 orësh ndodhi incidenti i dytë. Në fakt, tifozët e Llamkos Kosovës janë sulmuar fizikisht në Mitrovicë nga tifozët ‘Torcida’, pas përfundimit të ndeshjes Trepça – Llamkos Kosova, e cila përfundoi baras, 0:0.
Sipas burimeve të Expressit, disa tifozë vushtrrias, të cilët nuk kishin shkuar në mënyrë të organizuar si ‘Forca’, për ta përcjell ndeshjen në stadiumin ‘Riza Lushta’, janë sulmuar nga tifozët mitrovicas, të cilët kanë përdorur gjësende të forta ndaj tyre.
Është dashur intervenimi i policisë, në mënyrë që kjo përleshje të ndërpritej, edhe pse raportohet se disa tifozë vushtrrias janë bërë për spital, duke e kërkuar ndihmën e parë. Rivaliteti ndërmjet këtyre dy tifozerive është tejet i madh kohëve të fundit. Kjo u vërtetua edhe me rastin e sotëm. /Telegrafi/


