Strategji nacionale për lobim
Lobimi në fushën e diplomacisë, është një mjet legal shumë i rëndësishëm i cili ka sjellë shumë ndryshime në vendimet e politikës së jashtme në dobi të atyre vendeve që dinë mirë të lobojnë. Termi se “lobimi” e ka origjinën nga grumbullimi i anëtarëve të Parlamentit (deputetëve) dhe shoqërisë së tyre nëpër hyrje apo korridore të dhomave të Parlamentit para dhe pas mbajtjes se diskutimeve parlamentare.
Thuhet se ky term lindi në Hotelin “Willard” në Washington DC. dhe për herë të parë u përdor nga Ulysses S. Grant (Presidenti i 18-të i SHBA-ve nga vitet: 1869- 1877), për të përshkruar afaristet dhe tregtarët që frekuentonin lobin e hotelit në mënyrë që të kenë qasje tek ai gjatë kohës sa ai dilte në lobin e hotelit për të pirë duhan.
Por lobimit më së shumti i shkon fraza e mirënjohur e Presidentit Roosevelt, përderisa i përgjigjej një delegacioni të biznesmenëve: "Në rregull, ju më bindet mua. Tani, dilni atje jashtë dhe më sillni presion!" apo edhe thënia e Napoleon Bonapartës “dhjetë njerëz që duke folur, bëjë zhurmë më shumë se dhjetëmijë që janë duke heshtur."
Por për të pasur lobim të efektshëm dhe të mirë kuptohet së duhet pasur në radhë të parë lobistë të mirë dhe të aftë, të cilët do të mund që interesat e tyre (kompanisë ose shtetit) t’i përfaqësojnë dhe t’i fusin në agjendën e vendimmarrësve dhe në këtë mënyrë ata të mund të realizojnë qëllimet e tyre. Ai duhet po tjerash të ketë përvojë reale për atë se si funksionon qeveria, që është i gatshëm për t'u fut në "hendeqe" në emër të vendit të tij, të ketë kontakte të mira dhe besueshmëri si dhe vullnet për të punuar jo vetëm për ta zgjidhur problemin ekzistues por që përgatit edhe një strategji për t'iu shmangur problemeve të ngjashme që mund të paraqiten në të ardhmen". (Senatori William Kelley).
I nderuari John Reid, në librin e tij “The Question of Lobbying” thotë se: “Lobistët profesional e dinë mirë territorin e tyre. Ata e shfrytëzojnë kohën në mënyrë shumë efikase. Ata mund t’ju tregojnë se çfarë informacioni ju duhet ta keni, dhe cilave pyetje do t’ju duhet t’u përgjigjeni”. Pastaj do ta kuptoni se kë duhet ta bindni dhe pse.
Kosova më agjendën e politikës së jashtme ka vënë lobimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe në këtë veprimtari nuk po shënon rezultatet e pritura. Duke qenë se jemi në prag të Asamblesë së përgjithshme të OKB-së, në të cilën Kosova nuk është pjesëmarrëse për shkak të statusit të panjohur nga OKB, atëherë lobimi me aktorët e kësaj Asambleje është një rast i mirë për të maksimalizuar përpjekjet për rritjen e numrit të njohjeve nga ana vendeve që edhe mëtej hamenden në këtë çështje.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), që nga themelimi i saj në vitin 1945, i kushton një energji punës e Asamblesë së Përgjithshme dhe veçmas kjo punë përqendrohet në muajt e fundit të vitit (shtator-dhjetor). Në të kaluarën, mjetet e udhëtimit dhe komunikimit nuk ishin këto që janë sot dhe për ti shmangur paqartësitë lidhur me kohen e mbajtjes, u vendos një datë që do të respektohej tradicionalisht. Pra është rregull që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ti hap punimet të martën e tretë të muajit shtator. Edhe këtë vit, hapja e sesionit të gjashtëdhjetekatërtë të Asamblesë së Përgjithshme, u bë të martën e tretë të shtatorit pra më 15 shtator 2009, ndërkaq debati i përgjithshëm do të zhvillohet nga datat 23 deri 26 dhe 28 deri më 30 shtator 2009. Është paralajmëruar që edhe një delegacion nga Kosova në këtë periudhë do të shkoj në New York, që të loboj për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Lobimi gjatë mbajtjes së punimeve të Asamblesë është ide shumë e qëlluar, ngase për këtë periudhë të shkurtër teorikisht mund të takohen të gjithë përfaqësuesit e vendeve anëtarë të OKB-së.
Diplomacia botërore ka evoluar në këto dy dekadat e fundit. Ajo ka kaluar në fazën më të lartë të zhvillimit të sajë, të njohur si “Diplomacia Postmoderne” e cila është pasqyrë e bashkësisë ndërkombëtare aq të globalizuar dhe të globalizueshme të shekullit XXI e me këtë edhe proceseve integruese, parasegjithash me hapësirën e gjerë euroatlantike (M.Jazbec). Praktikisht ky evoluim ka ndikuar edhe në mënyrën e prezantimit dhe përfaqësimit, diplomatik. Kosova që ka shpallur pavarësinë në këtë “epokë” do të duhej ti shfrytëzonte mirë përparësitë që sjellë kjo formë e të zhvilluarit të diplomacisë.
Mangësia më e madhe e Kosovës në këtë rrafsh, është mungesa e një plani konkret nga institucionet e Kosovës për lobim, me qëllim shtimin e njohjeve, dhe anëtarësimin përfundimtarë të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe për përmirësim e imazhit të vendit. Po ashtu, qeveria e Kosovës nuk ka krijuar një ekip njerëzish të kalibrit të lartë, të personaliteteve të njohura në botë, të cilët kanë lidhje dhe njohje në botë, dhe të cilët mund të çojnë përpara më me efikasitet synimet e politikës së jashtme të vendit. Prandaj është koha më e fundit që Kosova të hartoj një strategjie nacionale për lobim. Pra strategjia e lobimit është një platformë komplekse që ngërthen në vete një plan lobues vizionar dhe një ekip njerëzish të aftë që njohin mirë finesat e diplomacisë “prapa kuintave”- të asaj diplomacia që nuk shihet me sy por që mund të ketë efekte të jashtëzakonshme. Kjo strategji do të duhej të hartohej me ndihmën e ekspertëve më të mirë vendorë dhe ndërkombëtar. Ndihmë të madhe në hartimin e strategjisë do të jepnin edhe të gjithë ata persona që në të kaluarën janë marrë me ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Por edhe shumë diplomatë të vendeve mike të Kosovës, që e kanë përkrahur Kosovën për vite me radhë. Për hartimin e kësaj strategjie ndihmën e tyre, në forma të ndryshme, do ta jepnin me siguri edhe shumë diplomatë të Shqipërisë që kanë qenë apo që janë ende në detyrë. Këta të gjithë që përmenda, besoj që janë të nevojshëm për hartimin e një strategjie të tillë, ngase kanë përvojën, njohuritë teorike dhe praktike, si dhe lidhjet (kontaktet) e nevojshme gjithandej nëpër botë.
Padyshim që strategjia do të duhej të përfshinte kombinimin e diplomacisë politike, parlamentare, ekonomike, kulturore e shkencore atë të nivelit më të lartë, diplomacinë publike, atë multilaterale, bilaterale, etj. Pa dashur që ti shtjelloj të gjitha këto në këtë shkrim, them se përgjatë hartimit të strategjisë do të duheshin të ishin të saktësuara si komponentë vitale.
Për zhvillimin e diplomacisë së përgjithshme (diplomacia politike), Kosova përmes strategjisë do të duhej të forconte Ministrinë e Punëve të Jashtme, ngase që në fillim janë vërejtur mangësi të shumta, si në emërime, buxhet, performancë, etj. Poashtu edhe diplomacisë Parlamentare, asaj Ekonomike dhe Kulturore e Shkencore do ti definoheshin aksionet. Te diplomacia publike duhet një vëmendje e posaçme. Kosova ka bërë një veprim në këtë drejtim kur ka angazhuar një kompani të ndërkombëtare (Saatchi & Saatchi) që të realizoj një video-spot e cila do të prezantohej në mediumet me shumë ndikim në botë. Kjo njihet si “diplomacia e CNN-it” e cila përveç prezantimeve vizive përfshinë edhe artikuj nëpër gazetat e njohura dhe me ndikim të madh dhe paraqitje reklamuese në uebfaqe popullore. Këto prezantime përmes, spoteve, artikujve të ndryshëm nga lider institucional shtetesh, intervista, etj. bëhen me qëllim të prezantimit të punës, sukseseve shtetërore, përçuarjes se porosive, tërheqjen e investimeve, turisteve, etj. Kjo zakonisht bëhet në media si: Televizionet: CNN, BBC, Sky News, Euro News, Gazetat: New York Times, Financial International Times, Washington Post, Le Monde, International Herald Tribune, The Economist, The guardian, Bild, Agjensionet e lajmeve: Associated Press, AFP, etj. Faqet e internetit: Yahoo, Google, Facebook, etj.
Kosova poashtu, përmes strategjisë, do të duhej të punoj në përmirësimin e imazhit i cili në fakt është jo i mirë. Mediumet botërore që nga koha e okupimit kanë transmetuar pamje jo të këndshme nga Kosova që kanë qenë: demonstrata, dhunë, luftime, bombardime, refugjatë, varfëri, etj. Për fatin tonë të keq edhe pasluftës ka ndodhur e njëjta. Kosova ka qenë në top-lajmet, si një vend i krizës dhe qarqe anti-shqiptare madje kanë tentuar që ti japin ngjyrime të një vendi “mafioz”. Kosova po ashtu është njohur si një nga vendet e përfshira në korrupsion dhe keqmenaxhim të parasë publike dhe të donacioneve të ardhura nga jashtë. Krejt këto kanë krijuar një përshtypje jo të mirë për Kosovën. Dhe gjithsesi se çështja e imazhit është një sfidë për Kosovën dhe diplomacinë e saj, e kjo do të duhej të rregullohej me veprime konkrete.
Krahas punës së qeverisë tonë që të zbatojë një qeverisje të mirë, do të duhej të përdoreshin shembuj dhe praktika shumë të mira në fushën e lobimit. Mjafton të merren mësime nga lobimi i Kosovës i viteve 1989-1999 i cili ishte shumë i suksesshëm dhe fal të cilit u krijuan aleancat historike me fuqi të mëdha si është ajo me SHBA-të dhe vendet e Bashkimit Evropian, e fuqi të tjera.
Ose le të përmendim lobizimet që bëhen me rastin angazhimit të shteteve për për tu futur në Këshill të Sigurimit (fjala është për 10 vendet jo të përhershme të KS që rinovohen çdo dy vjet). Zakonisht, gjithë ata diplomatë që janë të akredituar në New York, por dhe vetë Ministritë e Jashtme të vendeve kandidate dhe shefat e shteteve përfshihen në këtë lobim.
Këto vende kandidate punojnë intensivisht në kontakt me anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme për ti bindur ata që t`ju japin votën e mbështetjes. Pothuajse çdo mbrëmje në këtë fazë organizojnë dreka a darka pune, mbrëmje festive, shfaqje me orkestrat e tyre filharmonike që i sjellin nga vendet e tyre, ekspozita, etj. Ish-Ambasadori i Shqipërisë në OKB, z. Agim Nesho në librin e tij “Në mirëbesim” tregon së si personalisht Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë z. Lamberto Dini ia kishte kërkuar votën pro të Shqipërisë në votimet për anëtarë të Këshillit të Sigurimit. Ndërsa, Ministri i Punëve të Jashtme të Kanadasë e kishte përdorur Cirkun “de Solei”, një na cirqet më të famshme të botës, si mjet lobimi, duke i ftuar të gjithë ambasadorët e shteteve në OKB. Po ashtu ambasadori i Mbretërisë së Holandës i kishte ftuar për një udhëtim përreth New York-ut me anije dhe në darkë me pesëqind përfaqësues të trupit diplomatik dhe punonjës së sekretariatit. Greqia në anën tjetër për ta bërë një lobim edhe më të fortë kishte ftuar të gjithë ambasadorët e OKB-së (v.1998 kanë qenë 191) së bashku me gratë e tyre për vizitë njëjavore në Athinë dhe në ishujt e Mesdheut, duke u kujdesur që përveç udhëtimit me aeroplanë të organizuar edhe vendosja në të bëhet një në nga hotelet më luksoze siç është “Vouliagmenis Palas Hotel”, pastaj përcjellja me skuadra motoçiklistësh, duke organizuar ekskursione e darka nëpër vendet më të bukura që ka Greqia.
Pra shembujt e lartcekur tregojnë së si angazhohen shtete për të realizuar qëllimet lobuese. Mendoj se Kosova duhet të përpiqet që të bëjë shumë më shumë dhe këtë në mënyrë shumë më profesionale. Hartimi i strategjisë do të kontribuonte që të rregulloheshin edhe detajet më të vogla në sferën e lobimit dhe nuk do të bëhej diplomaci “spontane” siç jemi duke bërë, ngase nëse vazhdohet me këtë mënyrë do të vonohemi shumë.
Nuk e di çfarë lobimi do të bënë Kosova këto ditë në OKB, por nga ajo që shihet si përgatitje është larg asaj që u përmend mësipër. Një gjë dihet! Për tu anëtarësuar në OKB, Kosovës i duhet marrja e votave pozitive në Këshillin e Sigurimit e pastaj edhe votat e 2/3 të Asamblesë së Përgjithshme. Nga njohjet e deri tashme Kosovën e ka njohur vetëm 62 vende pra i duhen të paktën edhe 66 vende tjera anëtare të OKB-së për të pasur 2/3-tat e Asamblesë së Përgjithshme. Njohjet më të nevojshmet për momentin që do të duheshin ti arrinin Kosovës janë njohjet nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, (Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro) dhe edhe të dy vendeve të përhershme të KS-OKB-së (Kina dhe Rusia). Është e vërtetë që Kosovën e kanë njohur shtetet që përbëjnë më shumë se gjysmën e GDP-së botërore por në disa raste nevojiten numra (vota) si kur është rasti i votimit në Asamblenë e Përgjithshme.
(Autori është kandidat për master në diplomaci, UEJL)


