Stafi i Arsenalit i tërbuar: Klubi po u faturon për udhëtimin në finalen e Ligës së Kampionëve
Stafi i Arsenalit raportohet se ka mbetur i pakënaqur me mënyrën se si klubi ka organizuar udhëtimin për finalen e Ligës së Kampionëve kundër PSG-së, e cila zhvillohet më 30 maj në Budapest.
Sipas mediave britanike dhe Daily Mail, punonjësve që nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt në organizimin e finales u është ofruar një paketë udhëtimi me çmim prej 859 funtesh, që përfshin fluturimin charter dhe biletën për ndeshjen.
Paketa përfshin nisjen nga Lutoni në ditën e finales dhe kthimin menjëherë pas ndeshjes, në mënyrë që stafi të jetë i pranishëm në një paradë të mundshme të trofeut më 31 maj.
Sipas The Telegraph dhe Daily Mail, disa punonjës janë habitur nga çmimi i ofertës, ndërsa ata që zgjedhin të organizojnë vetë udhëtimin rrezikojnë të humbasin festimet e mundshme të klubit.
Në anën tjetër, Paris Saint-Germain ka zgjedhur një qasje krejtësisht tjetër. Klubi francez ka vendosur të mbulojë të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe biletave për të gjithë stafin që do të marrë pjesë në finalen e zhvilluar në Puskas Arena.
Presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, iu drejtua stafit përmes një letre, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe ndjenjës së përkatësisë brenda klubit.
Ndërkohë, Arsenali po kalon një nga periudhat më të rëndësishme të viteve të fundit. Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta është pranë fitimit të titullit të parë në Ligën Premier që nga viti 2004 dhe më pas do të fokusohet te finalja historike e Ligës së Kampionëve në Budapest./Telegrafi/


