Please enter at least 3 characters.

Stadiumi i Real Madridit po transformohet në një projekt inxhinierik të paprecedentë

Stadiumi Santiago Bernabeu i Real Madridit është shndërruar në vitet e fundit në një projekt inxhinierik të paprecedentë, ku arkitektura moderne, teknologjia e avancuar dhe elementët vizualë spektakolarë ndërthuren në mënyrë mbresëlënëse.

Punimet në pjesën e brendshme të stadiumit janë kryesisht të përfunduara, ndërsa tani vëmendja është zhvendosur te fasada e jashtme – shkruan Marca, në artikullin e titulluar “Transformimi i Bernabeut”.

Fasada do të vishet me një guaskë alumini që përfshin 10,000 drita LED RGB, të cilat do të lejojnë stadiumin të ndriçohet me ngjyra të ndryshme, të krijojë efekte lëvizëse dhe të gjallërojë ambientin përreth në çdo ngjarje.

Disa prej këtyre dritave tashmë janë instaluar në kullat Castellana dhe Concha Espina, dhe testimet e para vizuale mund të shihen që tani edhe nga jashtë stadiumit.

Ky ndriçim i jashtëm do të ndihmojë gjithashtu në kontrollin e shpërndarjes së dritës së brendshme gjatë ndeshjeve që zhvillohen natën.

Paralelisht, po kryhet mirëmbajtja e strukturës së çatisë së lëvizshme, ku ndodhen të instaluara disa prej këtyre sistemeve ndriçuese.

Brenda stadiumit, ndërmjet unazës së dytë dhe të tretë të tribunave, do të instalohet një unazë e re LED, e cila pritet të jetë një komponent kyç në krijimin e një përvoje të unifikuar vizuale në Bernabéu.

Kjo unazë do të shërbejë për grafikë dinamike, efekte ndriçimi dhe mesazhe reklamuese, duke e ngritur përjetimin e spektatorëve në një nivel të ri. /Telegrafi/