Sportistët e anashkaluar
Xhudoja arsyetoi pritjet, solli medaljen e vetme për Kosovën nga këto lojëra që mëtojnë të njihen në të ardhmen si "Lojëra Olimpike Evropiane", ndërkohë sportet e tjera dështuan.
Shumica dolën huq tërësisht, ndërkohë dy sporte - boksi e karateja, dëshmuan se në Kosovë kanë të kaluar të pasur, shkruan sot “Koha Ditore”.
Boksieri Armend Xhoxhaj me pak më shumë fat dhe me më shumë korrektësi nga gjyqtarët, do të stolisej të paktën me medalje të bronztë, ndërkohë karateisti Alvin Karaqi humbi në duel për medalje të bronztë nga turku, të cilin në xhiron e parë e mposhti.
Faji iu la papërvojës, por edhe mungesës së përkrahjes së shtetit në vazhdimësi për sportin në këto 16 vjet të pasluftës.
Xhudoja dhe xhudistët sot kanë një status më të veçantë në raport me sportistet e tjera, por kjo, sipas ekspertëve të sportit, është pasojë e imponimit dhe presionit që i është bërë shtetit me rezultate kulminante në evropiane e botërore.
Në të vërtetë, zyrtarë të lartë të federatave sportive dhe ekspertë të sportit vlerësojnë se shteti ka dështuar të përkrahë sportin, të zhvillojë strategji për sportin, afatmesme apo afatgjata. Sipas tyre, shteti është vonuar me gjithçka, qoftë edhe me rregullimin e infrastrukturës ligjore, që as sot nuk është e finalizuar.
“Shteti nuk ka ndihmuar në proporcion të njëjtë me rezultatet që kanë dhënë sportistët. Nuk është që nuk kemi pasur mbështetje, por...", thotë kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.
Më direkt dhe më të ashpër se ai tregohen zyrtarët e federatave sportive.
“Qasja ndaj sportit ka qenë e gabueshme pas luftës. Shteti nuk e ka përkrahur sportin. Buxheti i sportit është shumë i dobët", thotë kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës. Kjo federatë pas luftës bashkë me futbollin ishte më masivja.


