Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit dhe Drejtoria Komunale e Shëndetësisë diskutojnë avancimin e shërbimeve shëndetësore
Drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, Osman Hajdari, së bashku me menaxhmentin e spitalit, ka pritur në takim drejtorin e Drejtorisë Komunale të Shëndetësisë së Komunës së Prizrenit, Sylejman Baxhaku, me bashkëpunëtorët e tij.
Në takim morën pjesë edhe drejtori mjekësor Dr. Shefki Xharra, drejtoresha e Infermierisë Burbuqe Gashi, drejtori i Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta Lumrim Murtezaj, si dhe përfaqësues të Drejtorisë Komunale të Shëndetësisë, përfshirë udhëheqësin e Sektorit të Shëndetësisë Komunale Shpëtim Rahmanaj, zyrtaren e lartë për cilësi Dormira Brahimaj-Musaj dhe zyrtaren ligjore Qëndresa Racaj.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” dhe Drejtorisë Komunale të Shëndetësisë, me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore, më efikase dhe më të shpejta për qytetarët.
Në fokus të diskutimeve ishin shkëmbimi i përvojave profesionale dhe edukimi i vazhdueshëm i stafit shëndetësor, koordinimi dhe avancimi i shërbimeve emergjente, procesi i referimit dhe transportimit të pacientëve, si dhe inicimi i ngritjes së një qendre të veçantë për transportimin e pacientëve nga vendi i ngjarjes, QKMF-të, spitali dhe QKUK-ja. Po ashtu, u trajtua shfrytëzimi optimal i burimeve njerëzore dhe financiare, pajisjeve mjekësore, shërbimeve teknike, si dhe koordinimi i shërbimeve diagnostike dhe laboratorike.
Palët diskutuan gjithashtu ngritjen e mekanizmave të përbashkët institucionalë dhe iniciativave që vendosin pacientin në qendër të kujdesit shëndetësor.
Në përfundim të takimit, drejtuesit e të dy institucioneve u dakorduan që bashkëpunimi të vazhdojë përmes takimeve të rregullta dhe ndërmarrjes së hapave konkretë për zbatimin e çështjeve të diskutuara, përfshirë inicimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërinstitucional, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.
Ky ishte takimi i parë ndërmjet dy drejtuesve që nga marrja e detyrës së drejtorit ekzekutiv të Spitalit nga Osman Hajdari në shtator 2025 dhe marrja e detyrës së drejtorit të Shëndetësisë Komunale nga Dr. Sylejman Baxhaku në janar 2026. /Telegrafi/


