Sot shpërbëhet Kuvendi, Krasniqi voton pro
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka bërë të ditur se do të votojë pro shpërbërjes së Kuvendit, raporton Telegrafi.
Ai tha se vota e tij pro shpërndarjes është pasi për këtë janë pajtuar partitë politike.
Adem Grabovci nga PDK-ja tha se as nuk ndihen të gëzuar, as të hidhëruar me faktin se nuk po rrëzohet qeveria, por po shpërndahet Kuvendi.
Ai tha se nuk i frikësohen shkuarjes në zgjedhje dhe shprehu besimin për fitore.
Ndërkaq, Ismet Beqiri nga LDK-ja tha se po realizohet kërkesa e kësaj partie që sa më parë të mbahen zgjedhjet.
Ai tha se është hera e dytë që Thaçi e kryen mandatin qeveritar para kohe.
Sipas tij pak ka rëndësi nëse shpërndahet Parlamenti, e rëndësishme siç tha ai është se po shkohet në zgjedhje ku do të dënohet qeveria aktuale. Beqiri tha se LDK-ja nuk do të hyjë në koalicion me PDK-në.
Ardian Gjini nga AAK-ja theksoi se nuk do të sillen në mënyrë fëmijërore dhe të mos e votojnë shpërndarjen e Kuvendit. Ai tha se është mëkat që nuk ka kaluar mocioni të cilën e ka propozuar AAK-ja. /Telegrafi/


