Please enter at least 3 characters.

Sot mbahet Provimi i Maturës, rreth 5 mijë kandidatë i nënshtrohen testit

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se sot, më 29 gusht duke filluar nga ora 10:00 do të mbahet Provimi i Maturës, në 55 qendra të testimit.

MASH njofton se të gjithë komisionarët dhe administruesit duhet të jenë të pranishëm në qendrat përkatëse një orë para fillimit të provimit, me qëllim të sigurimit të organizimit dhe mbarëvajtjes së procesit.

“Përmes platformës eKosova, kanë aplikuar gjithsej 5,033 kandidatë për Provimin e Maturës, ndërsa pas shqyrtimit dhe verifikimit janë aprovuar 4,967 aplikime. Provimi do të mbahet të shtunën, më 29 gusht 2026, duke filluar nga ora 10:00, në 55 qendra të testimit”, thuhet në njoftim.

Kandidatët duhet të paraqiten në qendrën e testimit përcaktuar në listat përfundimtare dhe të kenë me vete dokumentin përkatës të identifikimit.

Për garantimin e një procesi të rregullt, të sigurt dhe të barabartë për të gjithë kandidatët, kërkohet respektimi i plotë i udhëzimeve dhe rregullave të përcaktuara për administrimin e Provimit të Maturës. /Telegrafi/