Snopçe: Të rinjtë nuk kanë besim tek kryeministri Mickoski, kjo qeveri po kontribuon vetëm në rritjen e tensioneve në shoqëri
Deputeti i Aleanca për Shqiptarët, Halil Snopçe, deklaroi sot në seancën parlamentare se Ministri i Punëve të Jashtme ka mohuar që qeveria të ketë dërguar letër te partnerët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian lidhur me deklaratat e kryeministrit, sipas të cilave opozita shqiptare, përmes studentëve, po punon për destabilizimin e shtetit.
Snopçe kritikoi Ministrin dhe kryeministrin Hristijan Mickoski edhe për komentet rreth mungesës së flamujve shtetërorë në protestat studentore.
Sipas tij, para se protestat të lidhen me mungesë patriotizmi, qeveria duhet të përgjigjet pse studentët po protestojnë.
“Ajo që po thoni ju dhe kryeministri janë vetëm muhabete për pikë politike”, deklaroi Snopçe nga foltorja parlamentare.
Deputeti akuzoi qeverinë se me politikat e saj po kontribuon në rritjen e tensioneve dhe polarizimeve të brendshme, duke e bërë shtetin më të ndjeshëm ndaj ndikimeve të jashtme.
Ai gjithashtu akuzoi ekzekutivin për rritjen e ndikimit rus, kinez dhe të ashtuquajturës “botë serbe”, duke pretenduar se përfaqësues të qeverisë veprojnë në favor të këtyre influencave.
Në fjalimin e tij, Snopçe ngriti edhe çështje që lidhen me sigurinë dhe rendin publik, duke deklaruar se gjatë mandatit aktual “kalojnë tonelata marihuanë” përmes kufijve të vendit pa reagim adekuat nga institucionet.
Deputeti rikujtoi edhe një ngjarje në Kumanovë, ku sipas tij kryeministri kishte mohuar se kishte dëgjuar thirrje antishqiptare, megjithëse kishte qenë i pranishëm në vendngjarje. Ai tha se sjellje të tilla kanë ndikuar në humbjen e besimit të të rinjve ndaj institucioneve.
“Prandaj edhe të rinjtë që protestojnë nuk përdorin flamuj shtetërorë, sepse nuk kanë besim te një kryeministër që sillet në atë formë”, tha Snopçe.
Ai shprehu dyshimet se përse kryeministri brenda 24 orëve ndryshoi qëndrim për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke deklaruar në fillim se i njejti mund të mbahet edhe në gjuhën shqipe, e pastaj deklaroi se jo nuk mundet, duhet të mbahet vetëm në gjuhën maqedone.


