Skenari i dështuar i Nikolla Gruevskit
Skenari i kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, për krijimin e një konflikti të armatosur në mes të Kumanovës mes grupit “terrorist”, siç e ka identifikuar ai, dhe Policisë e Ushtrisë maqedonase në anën tjetër, përfundimisht rezultoi si i pasuksesshëm.
Përmes grupit të armatosur, por që dyshohet të ketë qenë i kontrolluar nga agjentë të shërbimit sekret maqedonas, kryeministri Gruevski tentoi ta largojë vëmendjen e opinionit nga publikimi ditor i “bombave” të liderit të opozitës, Zoran Zaev, nga i cili çdo ditë po dalin në shesh skenarë të ndryshëm të kryeministrit Gruevksi dhe klikës së tij për shfarosjen e shqiptarëve në këtë shtet.
E, goditja më e rëndë për kryeministrin aktual maqedonas pritet të ndodhë kur do të bëhet publikimi i përgjimeve për rastin e identifikuar si “Monstra”, ku disa shqiptarë janë dënuar me burg të përjetshëm si të akuzuar për vrasjen e pesëfishtë në fshatin Smilkovc të Shkupit, në prill të vitit 2012.
Mirëpo, në realitet ka dyshime të bazuara se vrasja e tyre është bërë me paramendim nga vetë shteti maqedonas, vetëm e vetëm për të krijuar probleme etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve në këtë shtet.
Si në këtë rast, por edhe në shumë raste tjera, thuajse gjithmonë problemet i kanë krijuar qytetarët maqedonas të nxitur nga shteti, por në fund për probleme të tilla janë akuzuar apo edhe dënuar shqiptarët përmes proceseve të montuara politike.
Vrasja e 10 të rinjve nga Kosova dhe Maqedonia në Kumanovë, si dhe prangosja e më shumë se 20 personave, edhe më tutje mbetet e pashpjegueshme për opinionin, pasi që ata u goditën në mes të qytetit të Kumanovës, derisa ata ishin në gjumë.
Po ashtu, edhe më tutje mbetet e paqartë se cili ishte motivi i futjes së grupit në mes të qytetit, kur dihet se për praninë e tij aty ishin mirë të informuar liderët shqiptarë në Maqedoni, por edhe ata në Kosovë, qoftë përmes rrugëve zyrtare apo edhe përmes rrugëve private.
Qeveria e kryeministrit Gruevski duhet të japë llogari para opinionit për atë çfarë ka ndodhur në Kumanovë, pasi që aty janë vrarë dhe prangosur njerëz të pafajshëm. Që nga fillimi i aksionit mbi shtëpitë e shqiptarëve në këtë shtet, Qeveria Gruevski ka spekuluar në vazhdimësi me numrin e të vrarëve, atyre të plagosurve, por edhe të atyre që janë në pranga.
Por, si për çudi, edhe më tutje askush nuk e di saktë se kush është vrarë, kush është plagosur dhe kush është në burg.
Publikimi i përgjimeve të fundit nga Zoran Zaev, si dhe rasti i fundit në Kumanovë, tregoi përfundimisht se faktori politik shqiptar që është brenda dhe jashtë Qeverisë, është krejtësisht në shërbim të Qeverisë Gruevksi, e cila po vret dhe torturon në mënyrën më çnjerëzore qytetarët shqiptarë në këtë shtet.
Përfundimisht, BDI-ja e Ali Ahmetit duhet t’i braktisë institucionet dhe duhet të kërkojë llogari nga shefi i Qeverisë për krimet që po i bën ndaj shqiptarëve e jo ta vazhdojë miqësinë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
I padëshirueshëm pas publikimit të përgjimeve ka dalë të jetë edhe lideri shqiptar i opozitës shqiptare, Menduh Thaçi, i cili në bazë të përgjimeve doli të jetë besnik i përjetshëm i Policisë sekrete maqedonase.
Duke i parë dështimet e vazhdueshme, shqiptarëve në Maqedoni përfundimisht u duhen liderë të rinj politikë, pasi që këta aktualë janë krejtësisht të djegur dhe të dëmshëm për të artikuluar drejt kërkesat e qytetarëve shqiptarë në këtë shtet.
(autori është redaktor i Ekonomisë në ditoren Zëri)


