Please enter at least 3 characters.

Skena famëkeqe e “Tangos së fundit në Paris” që shkatërroi jetën e aktores kryesore

Nga: Emma Jones / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Mund të jetë skena më famëkeqe në gjithë historinë e kinemasë. Drama seksualisht eksplicite që pati premierën në vitin 1972, Tango e fundit në Paris [Last Tango in Paris] - realizuar nga regjisori italian Bernardo Bertolucci - rrëfen historinë e një marrëdhënieje mes një burri në moshë të mesme, Polit, dhe një vajze të re, Xhiniit, në një apartament në Paris. E ashtuquajtura “skena me gjalpin” nuk ishte pjesë e skenarit fillestar dhe elementët e saj u xhiruan pa pëlqimin paraprak të aktores 19-vjeçare, Maria Schneider.

Pas premierës të filmit, Schneider luftoi për vite të tëra me varësinë ndaj drogës dhe pati probleme me shëndetin mendor, por historia e saj dhe realizimi i Tangos së fundit në Paris po tregohen tani përmes filmit Të jesh Maria [Being Maria]. Në film, Matt Dillon luan Marlon Brandon, i cili portretizoi Polin, ndërsa Anamaria Vartolomei luan Maria Schneiderin. Regjisorja franceze, Jessica Palud, e ka përshtatur historinë nga një memoar i vitit 2018 i kushërirës së Marias, gazetares Vanessa Schneider,.

Lexo po ashtu:
- Biopiku për heroinën e Tangos së fundit në Paris - Marlon Brando, për Stella Adlerin: Mirënjohës që kam qenë pjesë e shoqërisë dhe e familjes së saj - Pula nuk e di se çka është bomba atomike! - Perandori i fundit në botën e postrevolucionit

“Mendoj se duhet ta shohim kontekstin e kohës kur u realizua Tango e fundit në Paris, meqë kanë kaluar tashmë pesëdhjetë vjet qëkur u xhirua filmi”, thotë Matt Dillon për BBC. “Ajo kohë ishte ndryshe, por është shumë e rëndësishme që sot ta shohim nga një perspektivë tjetër. Ishte një përvojë vërtet traumatike për të. Dhe, jo vetëm në momentin kur ndodhi, sepse në shumë mënyra ajo përvojë e ndiqte dhe e përndiqte kudo në jetën e saj”.

Të jesh Maria hulumton të kaluarën e Schneiderit: ajo ishte produkt i një lidhjeje jashtëmartesore mes aktorit të njohur francez Daniel Gélin dhe një modeleje rumune. Ajo e takoi të atin për herë të parë kur ishte adoleshente, dhe ai e prezantoi me setet e filmave. Tango e fundit në Paris ishte roli i saj i parë kryesor, dhe më vonë ajo do të kujtonte - në një intervistë të vitit 2007, kur ishte në të pesëdhjetat - se ishte bindur të merrte këtë rol në vend të një filmi me aktorin francez Alain Delon, dhe se në moshën 19-vjeçare “nuk kuptonte plotësisht përmbajtjen seksuale të filmit”. Ajo tha se “kishte një ndjesi të keqe për gjithçka”, por agjencia e saj i kishte thënë se nuk mund ta refuzonte një rol me Marlon Brandon, një nga yjet më të mëdhenj të kinemasë së shekullit XX.

Ajo kujtoi atë që ndodhi ditën kur u xhirua ajo skenë, ku personazhi që luante përdhunohet nga Brando, duke përdorur gjalpin si lubrifikant. “Ajo skenë nuk ishte në skenarin origjinal. E vërteta është se Marloni e propozoi idenë. Ma thanë vetëm pak para se ta xhironim skenën dhe isha shumë e zemëruar ... u ndjeva e poshtëruar dhe, për të qenë e sinqertë, u ndjeva pak e përdhunuar, si nga Marloni ashtu edhe nga Bertolucci. Pas skenës, Marloni nuk më ngushëlloi dhe nuk kërkoi falje”, tha ajo. “Marloni më tha: ‘Maria, mos u shqetëso, është vetëm një film’, por gjatë skenës, edhe pse ajo që Marloni po bënte nuk ishte reale, unë qaja me lot të vërtetë. Për fat, pati vetëm një xhirim të asaj skene”.

Bertolucci më vonë do të fliste për arsyen pse Schneiderit ia kishte fshehur detajet e skenës, duke thënë: “Doja reagimin e saj si vajzë, jo si aktore. Doja të reagonte e poshtëruar”. Ai këmbëngulte se vetëm përdorimi i gjalpit e kishte befasuar aktoren, por Matt Dillon thotë se ajo që ndodhi ishte “vërtet e gabuar”.

“Është diçka që aktorët shpesh e bëjnë - nuk ia tregojmë tjetrit atë që do të bëjmë, ose regjisori na inkurajon të mos zbulojmë veprimet tona, për të nxjerrë pastaj një reagim të vërtetë”, thotë ai. “Por, ishte vërtet e gabuar që të veproje kështu në një skenë kaq të ndjeshme”.

Jessica Palud i ka thënë BBC-së se riprodhimi i skenës së përdhunimit “nuk mund të shmangej” në Të jesh Maria, por këtë herë audienca i sheh ngjarjet nga perspektiva e Maria Schneiderit. “Nuk mund ta shmangia xhirimin e kësaj skene, sepse ishte pikërisht momenti ku jeta e saj ndryshoi plotësisht. Gjithçka shkon keq prej aty”, thotë Palud. “Ishte e rëndësishme që skena të shfaqej nga këndvështrimi i saj - në trupin e saj, në shikimin e saj, në atë që ajo përjetoi - dhe fakti që kishte dëshmitarë. Maria po dhunohej në prani të gjithë ekipit të xhirimit, të cilët vetëm vështronin dhe nuk reagonin”.

Këtë herë, skena u përgatit me ndihmën e një koordinatoreje intimiteti, ndërsa 61-vjeçari Dillon thotë se ishte hera e parë që punonte me një të tillë. “I thashë koordinatores së intimitetit: ‘A e di për çfarë është kjo skenë’”? - ka thënë ai. “Ajo tha po, dhe unë i thashë: ‘Sepse mund të gjurmosh origjinën e rolit të koordinatorit intimiteti pikërisht nga kjo skenë, në atë film’”.

Përdorimi i një koordinatori intimiteti, i cili vepron si koreograf dhe ndërmjetës mes aktorëve dhe produksionit gjatë skenave të simuluara seksuale apo nudove, është bërë praktikë standarde në industrinë e filmit pas lëvizjes #MeToo. Sot bëhet lajm edhe kur aktorët refuzojnë ta përdorin atë - si Mikey Madison në filmin Anora, fitues i çmimit Oskarit, apo kur Gwyneth Paltrow zbuloi se i kishte thënë koordinatorit të “qëndronte pak më mbrapa” gjatë skenave të seksit me Timothée Chalametin në Marti supremi [Marty Supreme].

“Nuk mendoj se është një gjë e keqe, mendoj se mund të evoluojë në diçka të mirë”, thotë Dillon për përdorimin e koordinatorëve të intimitetit. “Duket sikur janë aty për të ndaluar shkeljen e kufijve, por në fakt ata krijojnë kufij që mundësojnë mënyra të ndryshme të qasjes ndaj skenave të tilla. Shpresoj që të evoluojë në këtë drejtim, në vend që njerëzit të ndihen sikur janë aty për të na thënë çfarë mundemi dhe çfarë jo. Unë me Anamarian u ndjemë shumë rehat”.

Anamaria Vartolomei (e cila ka luajtur edhe në filmin Happening, fitues i Luanit të Artë, ku trajtohet aborti i paligjshëm), thotë se, ndonëse u ndje “e sigurt, e mbrojtur dhe e udhëzuar” gjatë xhirimit të skenës së përdhunimit në Të jesh Maria, ajo sërish u trondit. “Kjo skenë ishte vërtet e dhunshme”, i thotë ajo BBC-së. “Nuk mund ta imagjinoja çfarë ka qenë për Marian, sepse ajo e ndjeu vërtet. Unë vetëm po e luaja. Por, kjo gjë vërtet i ndodhi asaj, dhe nuk kishte askënd pranë. Kishte vetëm njerëz që e shikonin pa bërë asgjë. Mendoj se dhuna ishte e dyfishtë, sepse ajo nuk kishte mbështetjen që pata unë në xhirim - por sërish, ishte jashtëzakonisht e vështirë për mua”.

“Isha shumë e mbingarkuar emocionalisht atë ditë. Nuk mund të ndaloja së qari, sepse ndjeva sikur e akumulova dhunën e skenës kur e pashë në ekran. Kur më duhej ta luaja, gjithë lotët dolën nga unë. Mendoj se është shumë brutale. Dhe, është çmenduri të mendosh që dikush mund të bënte një gjë të tillë”.

Maria Schneider jo vetëm që nuk kishte mbështetje profesionale gjatë xhirimeve, por gjithashtu i mungonte përvoja për të ditur që Bertolucci nuk mund ta detyronte ta bënte atë skenë. “Duhej të kisha telefonuar agjentin tim ose të kisha kërkuar që avokati im të vinte në xhirime, sepse nuk mund të detyrosh dikë të bëjë diçka që nuk është në skenar - por, atëherë, unë nuk e dija këtë”, ka thënë ajo më vonë.

Por, ishte gjithashtu tronditja që shkaktoi vetë filmi Tango e fundit në Paris - pasi u shfaq nga tetori i vitit 1972 - ajo që do të shkatërronte Schneiderin. Pavarësisht (ose ndoshta edhe ndihmuar) nga fakti se u ndalua apo u kufizua në disa vende, filmi fitoi rreth 36 milionë dollarë vetëm në ShBA [vlera e përafërt e 197 milionë eurove më 2025]. Në Francë raportohej se publiku priste në radhë për më shumë se dy orë për të marrë një biletë.

Kontrasti mes Bertoluccit, Brandos dhe Schneiderit u bë i qartë: reagimi kritik ndaj filmit ia forcoi reputacionin Bertoluccit si mjeshtër ndërkombëtar, dhe që të dy, ai dhe Brando, u nominuan për Oskar për këtë film. Brando - tashmë i dyfishuar në legjendë për rolin e tij në filmin Nuni [The Godfather] të Francis Ford Coppolas gjatë së njëjtës periudhë - thuhet se fitoi rreth tre milionë dollarë [vlera e përafërt e 16.5 milionë eurove më 2025] nga Tangoja e fundit, pasi kishte marrë përqindje nga fitimet. Schneideri ka thënë se ishte paguar me rreth katër mijë dollarë [vlera e përafërt e 22 mijë eurove më 2025]. Ajo shfaqej në nudo të plotë në film - Brando nuk shfaqej asnjëherë lakuriq.

Vajza e re e pati gjithnjë e më të vështirë të përballonte famën e menjëhershme. Në intervistat që dha pas premierës së filmit, ajo deklaroi se kishte fjetur me 50 burra dhe 20 gra dhe se “kishte provuar heroinën”, sepse - siç do të shpjegonte më vonë - edhe pse kjo nuk ishte e vërtetë, ajo

shihej si “ajo femra seksi dhe budallaqe”. Sjellja e saj e çrregullt, ka thënë ajo, vinte nga frika. “Të bëhesha papritur e famshme në gjithë botën ishte një gjë tmerruese”, ka thënë ajo. “Nuk kisha truproje siç kanë sot. Njerëzit mendonin se isha njësoj si personazhi im, dhe unë shpikja histori për mediat, por kjo nuk isha unë ... Kjo më çmendi. Fillova të përdorja drogën ... Ishte si një arratisje nga realiteti. Ishin vitet ’70 [të shekullit XX] dhe në atë kohë gjithçka ndodhte”.

Kushërira e saj, Vanessa Schneider, ka thënë se ajo ishte gjithashtu viktimë e standardeve të dyfishta të kohës: “Për shikuesit puritanë, ajo ishte një grua e lehtë që bënte pornografi. Ishte brutale për të, sidomos kur kjo nuk përkonte aspak me natyrën e saj - ajo ishte mjaft modeste, e rezervuar dhe në disa aspekte edhe konservatore”.

“Njerëzit mendonin se isha si vajza në film, por kjo nuk isha unë”, deklaroi Maria Schneider në një intervistë të vitit 2007. “U ndjeva shumë e trishtuar, sepse më trajtonin si një simbol seksi; unë doja të njihesha si aktore, dhe gjithë skandali dhe pasojat e filmit më çuan drejt çmendurisë - pësova një shpërbërje emocionale”. Schneider zbuloi gjithashtu se kishte tentuar të vriste veten gjatë asaj periudhe.

Më vonë, Schneider arriti të çlirohej nga varësia, por edhe pse realizoi rreth 50 filma gjatë karrierës së saj (përfshirë filmin e vlerësuar The Passenger, më 1975, ku luajti përkrah Jack Nicholsonit), ajo shprehej se “Tango e fundit është ende filmi për të cilin të gjithë më pyesin”. Ajo vdiq në vitin 2011, nga kanceri.

“Gjëja fatkeqe është se Maria Schneider dha një interpretim të jashtëzakonshëm në atë film, dhe mund të shihje qartë se karriera e saj mund të kishte marrë një drejtim krejt ndryshe”, thotë Matt Dillon. “Por, ajo tashmë kishte kaq shumë pengesa përballë. Familja nga vinte ishte në një situatë shumë të rrëmujshme. Ishte e braktisur nga prindërit dhe më pas u braktis edhe nga njerëzit me të cilët punonte. Mendoj se ajo ndjesi braktisjeje e ndoqi gjatë gjithë jetës”.

Schneider nuk është e vetmja aktore e atij brezi që vuajti për shkak të bujës rreth një filmi erotik ku ajo luajti. Sylvia Kristel gjithashtu e pati të vështirë të largohej nga sensacioni i shkaktuar nga filmi soft-porn Emanuela [Emmanuelle] i vitit 1974, në të cilin ajo kishte rolin kryesor dhe që gjithashtu përfshinte një skenë përdhunimi. Dhe, nuk ishin vetëm gratë ato që vuajtën duke bërë filma me përmbajtje seksuale; më vonë Schneider ka thënë se “edhe Brando ka thënë se u ndje i përdhunuar dhe i manipuluar” gjatë skenës famëkeqe të Tangon e fundit në Paris.

“Ishte epoka e regjisorëve të famshëm”, thotë për BBC drejtuesja e podkastit Vajzat në film [Girls on Film], Anna Smith. “Dhe, modeli, kryesisht, duket të jetë regjisorët meshkuj autoritarë që shfrytëzonin dhe frikësonin aktoret e reja. Kjo ndjenjë zotërimi, nga disa prej këtyre burrave të lartësuar, u jepte atyre pushtet për të kontrolluar gratë”.

“E kishim këtë ide të krijuesit, të regjisorit me fuqi supreme”, thotë Vartolomei, “dhe ata konsideroheshin si lloj gurush regjisorialë, dhe të gjithë përreth tyre e dëgjonin si të ishte zot. Mendoj se ky ishte problemi atëherë. Tani jemi më të mbrojtura, zëri ynë dëgjohet, dhe gjithashtu vlerësohet - gjë që nuk ndodhte në atë kohë”.

Por, regjisorja e filmit Të jesh Maria, Jessica Palud, thekson se një nga aspektet më të jashtëzakonshme të karakterit të Schneiderit ishte se, shumë përpara epokës së #MeToo, ajo fliste hapur për atë që ndodhi gjatë xhirimeve të Tangos së fundit në Parisë. “Ajo që mësova e që është vërtet interesante dhe prekëse tek ajo është se, edhe pse ishin vitet '70 [të shekullit XX] dhe në atë kohë shumë aktore të reja sulmoheshin ose përdhunoheshin, këtë gjë ato e mbanin brenda vetes. Maria ishte shumë e qartë dhe e drejtpërdrejtë në intervista ... ajo fliste, por nuk e dëgjonte askush”.

Përvoja e Schneiderit në Tangon e fundit u mor seriozisht në vitin 2016 kur u rishfaq një intervistë e Bertoluccit e vitit 2013, për Cinémathèque Française, ku ai fliste për skenën famëkeqe dhe dëshirën që poshtërimi i Maria Schneiderit të ishte i vërtetë. Këtë herë kjo shkaktoi indinjatë të madhe publike. Disa njerëz nuk e kishin kuptuar më parë se, megjithëse skena seksuale ishte traumatike, ajo ishte vetëm e simuluar mes Brandos dhe Schneiderit. Regjisori, atëherë 76 vjeç, e quajti zemërimin “qesharak” dhe këmbënguli se Schneideri kishte paraprakisht dijeni për skenën.

Të tri figurat kryesore në Tangon e fundit në Paris - Bertolucci, Brando dhe Schneider - tani janë të ndjerë. Duke ditur që tmerri, tronditja, mërzia dhe zemërimi që shfaqen në fytyrën e Maria Schneiderit janë të vërteta dhe të provokuara me qëllim, a duhet që filmi, siç pyeti gazeta franceze Le Monde - pas anulimit të një shfaqjeje në Paris në vitin 2024, për shkak të protestave - të shoqërohet me një paralajmërim të veçantë?

“Prej kohësh mendoj se kanuni i perceptuar i kryeveprave kinematografike ka nevojë për rishqyrtim - sepse vjen nga një vend thellësisht patriarkal”, thotë Anna Smith. “Mendoj se është e shëndetshme të rishikojmë klasikët nga një perspektivë moderne; shpresoj që tani kemi zhvilluar një kuptim më të thellë për dëmet që mund të shkaktojnë disa qëndrime dhe praktika”.

Jessica Palud thotë se Të jesh Maria përpiqet ta tregojë këtë, por shton se “nuk doja të gjykoja apo të dënoja, por të tregoja sistemin dhe çfarë duhet të ndryshojë në të, që kjo gjeneratë e re të jetë e mbrojtur. Ka ende shumë për të bërë. Por, falë Zotit, një skenë si ajo nuk do të ndodhte sot”.

Vartolomei shton: “Ndjej që ky film po i sjell drejtësi Marias, së bashku me librin e Vanessa Schneiderit. Në atë kohë Maria konsiderohej viktimë, por për mua ajo është shumë më tepër se kaq - ajo e gjeti forcën për të folur, që historia të dëgjohet, edhe pse vendosi të flasë në një shoqëri që nuk ishte gati të pranonte zërin e saj. Por, tani jam thjesht e lumtur që më në fund po e dëgjojmë”. /Telegrafi/