Skandal në Vlorë, Teuta denoncon dhunë të rëndë në fushë dhe tribuna
Klubi durrsak, Teuta ka akuzuar lojtarët e tifozët e Flamurtarit të Vlorës për sulm fizik ndaj futbollistëve dhe ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF).
Teuta ka reaguar ashpër pas ngjarjeve të rënda të ndodhura në ndeshjen ndaj Flamurtarit në Vlorë, duke e cilësuar atë si një episod të paprecedentë dhune në futbollin shqiptar.
Sipas klubit, futbollistët Muço Boçi dhe Mario Beshiraj u goditën fillimisht nga lojtarët kundërshtarë dhe më pas nga tifozë që mësynë fushën në minutën e 69-të, duke shkaktuar kaos dhe panik në stadium.
Në reagimin zyrtar, Teuta thekson se lojtarët përjetuan tronditje të rëndë psikologjike, ndërsa kritikon vendimin e delegatit të ndeshjes për të kërkuar vazhdimin e lojës, pavarësisht situatës së krijuar.
Klubi shton se disponon edhe pamje të tjera që tregojnë se tifozët nuk u larguan realisht nga stadiumi, por u zhvendosën në tribunat pas porte.
Në fund, KF Teuta i bën thirrje FSHF-së të marrë masa konkrete, të hetojë plotësisht ngjarjen dhe të ndëshkojë përgjegjësit, duke paralajmëruar se skena të tilla dëmtojnë rëndë imazhin e futbollit shqiptar.
Postimi pa ndërhyrje i KF Teuta
Skandal në Vlorë! Futbollistët e Teutës dhunohen nga kundërshtarët! FSHF të marrë masa!
Një ngjarje e paprecedentë dhune u regjistrua në Vlorë, në ndeshjen Flamurtari–Teuta, ku futbollistët e ekipit tonë u dhunuan barbarisht nga kundërshtarët dhe tifozët vlonjatë.
KF Teuta kërkon të informojë publikun për dhunën që ndodhi në stadiumin e Flamurtarit, ku Muço Boçi dhe Mario Beshiraj u goditën me grusht nga lojtarët e Flamurtarit dhe më pas nga tifozët që mësynë fushën në minutën e 69-të.
Një episod i tillë i tronditi lojtarët, të cilët kaluan në shok psikologjik, por çuditërisht delegati i ndeshjes, Armando Mandro, kërkoi që loja të vazhdonte dhe i kërkoi policisë të boshatiste tribunën përballë (C).
KF Teuta insistoi se ekipi nuk mund të riluante ndeshjen, pasi ishte në gjendje të rënduar psikologjike, por delegati vendosi që ndeshja duhej të vazhdonte, pa u interesuar për dhunën e paprecedentë që ndodhi në fushë.
Ndeshja u kthye në ferr dhe lojtarët nuk ishin të gatshëm të luanin futboll, por, ndonëse KF Teuta nuk ishte dakord, pranoi të vazhdonte ndeshjen pas urdhrit të delegatit.
KF Teuta ka në dispozicion edhe një tjetër video ku tifozët e Flamurtarit nuk u larguan nga stadiumi, por shkuan në tribunën pas porte.
KF Teuta kërkon nga FSHF-ja që të merren masat për këtë ngjarje të rëndë dhe të zbardhet dinamika e saj. Urojmë që skena të tilla të mos përsëriten më, pasi njollosin futbollin shqiptar.
/Telegrafi/


