Si u bë Frida Kahlo shenjtorja mbrojtëse e kulturës së zgjimit
“Autoportret me majmunë” (1943) i Frida Kahlos
(Fine Art Images/Heritage Images/Getty)
Ekspozita e re në Tate Modern - Frida: Krijimi i ikonës [Frida: The Making of an Icon] shqyrton se si artistja meksikane u shndërrua nga një piktore kulti në një ikonë kulturore.
Nga: Alastair Sooke, kritik i artit / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Një ekspozitë e re kushtuar Frida Kahlos pritet të hapet në galerinë Tate Modern, me një ndjesi shumë më ndryshme nga ekspozita e fundit e artistes moderne meksikane - po në këtë galeri - në vitin 2005. Ajo ekspozitë mblodhi më shumë se 80 vepra për ta çmuar Kahlon si artiste. Kjo e reja, me vetëm rreth 30 vepra të vetë Kahlos, do të shqyrtojë diçka tjetër: një fenomen që nganjëherë përshkruhet si “Fridamania,” duke pranuar popullaritetin e saj të jashtëzakonshëm jo vetëm mes koleksionistëve (vjeshtën e kaluar, një nga pikturat e Kahlos u shit në ankand për gati 42 milionë paundë / 48.56 milionë euro - çmimi më i lartë i paguar ndonjëherë për një vepër arti të krijuar nga një grua).
Lexo po ashtu:
- “Dy Fridat” dhe heroina e dhimbjes
- Frida dhe politika: Nga dhembjet shpirtërore, krijoi një mik imagjinar!
- Fotografitë intime dhe ikonike që Nickolas Muray ia bëri Frida Kahlos
- Frida Kahlo: Nata ime gërryen vetveten!
- Frida Kahlo: S’kam me ta lypë
Sot, fytyra e Kahlos, me vetullën e saj karakteristike të bashkuar, njihet edhe prej njerëzve që rrallëherë hyjnë në një galeri arti; tiparet e saj janë po aq të njohura sa ato të revolucionarit kuban Che Guevara - një tjetër figurë e elegancës radikale. Për të janë shkruar drama, romane dhe opera. Më shumë se 100 mijë objekte me portretin e saj janë në shitje në internet (disa prej tyre do të shfaqen në një seksion të ekspozitës së Tate-it që shqyrton shfrytëzimin komercial të figurës së saj). Kur muzeu V&A organizoi një ekspozitë për Kahlon në vitin 2018, ai e përqafoi, si të thuash, “kultin” e saj duke u përqendruar te veshjet dhe sendet personale dhe duke u siguruar që në dyqanin e muzeut të kishte një gamë të gjerë produktesh të lidhura me të - gjë që solli shitje rekorde. Kahlo e ka kapërcyer botën e artit për t’u bërë ikonë e kulturës popullore dhe një brend. Siç shprehet Catherine Wood - drejtoreshë e përkohshme në Tate Modern - në katalogun e ri: “Frida është bërë virale.”
Pra, si dhe pse u shfaq Fridamania? A e meriton kjo artiste një adhurim të tillë? Dhe, a kemi arritur kulmin e Fridas?
Kohët e fundit, kam menduar për këto pyetje ndërsa punoja në një mini-seri me tri pjesë për Kahlon për Stories of Art - një podkast i ri javor nga iniciativa Heni Talks, me video mbi historinë e artit të cilin e drejtoj me historianin e artit të Universitetit të Kembrixhit, James Fox.
Një pjesë e mitit të Fridas buron nga biografia e saj (nuk është çudi që Netflix-i ka njoftuar një serial të ri për Kahlon dhe bashkëshortin e saj, artistin Diego Rivera). Në moshën gjashtëvjeçare, ajo u prek nga poliomieliti që ia dëmtoi këmbën e djathtë. Ajo gjithmonë ndihej në siklet për shkak të aftësisë së kufizuar dhe më vonë u përpoq ta fshihte duke veshur fustane të gjata indigjene, të cilat u bënë pjesë e pamjes së saj karakteristike. Në moshën 18-vjeçare, ndërsa po kthehej nga shkolla në Meksiko-Siti drejt shtëpisë së familjes së saj -të ashtuquajturës “Shtëpia e kaltër,” në qytetin e afërt të Kokojakanit (“vendi i kojotëve”) - ajo pothuajse humbi jetën kur një parmak metalik i përshkoi stomakun dhe legenin gjatë një aksidenti katastrofik me autobus.
Gjatë muajve të dhimbshëm dhe monotonë të pushimit në shtrat që pasuan, ajo iu përkushtua pikturës. Nga fundi i viteve ’20 të shekullit XX, ajo ishte në gjendje të ndiqte Diego Riveran të cilin, rastësisht, e kishte takuar disa vite më parë. Rivera kishte kaluar më shumë se një dekadë në Paris, përpara se të kthehej në Meksikë - me ftesë të qeverisë, pas revolucionit - për të pikturuar për pueblon (popullin) murale në ndërtesa publike. Në vitin 1929, Kahlo, 22 vjeçe, u martua me muralistin e famshëm 43-vjeçar, të cilin ajo e quajti “aksidenti im i dytë.”
Marrëdhënia e tyre ishte e stuhishme dhe të dy kishin lidhje jashtëmartesore - përfshirë, në rastin e Kahlos, edhe me revolucionarin rus në mërgim, Leon Trotsky, i cili mbërriti në Meksikë në vitin 1937. Sipas rrëfimeve, Rivera nuk e kishte problem që Kahlo kishte aventura me gra të tjera, por ishte më pak tolerant ndaj lidhjeve të saj me burra.
Gradualisht, Kahlo u shfaq si artiste e rëndësishme, vepra autobiografike e së cilës e justifikon plotësisht vëmendjen që merr sot. Në të, ajo ekspozoi hapur vuajtjen e saj emocionale dhe fizike, në një mënyrë të drejtpërdrejtë dhe ndonjëherë grafike. André Bretoni, udhëheqësi i surrealizmit (me të cilin pikturat e Kahlos kanë afërsi), e krahasoi artin e saj me “një fjongo rreth një bombe.”
Në një seri të shkëlqyer autoportretesh, të cilat i krijoi duke filluar nga fundi i viteve ‘30 të shekullit XX (para se përkeqësimi i problemeve shëndetësore të çonte në vdekjen e saj të parakohshme), ajo e paraqet veten përpara një vegjetacioni të harlisur, shoqëruar nga kafshë si papagaj, harabela, flutura dhe manari i saj - majmuni merimangë, Fulang-Çang. Kahlo, e cila pësoi aborte spontane dhe pikturoi një skenë të drejtpërdrejtë lindjeje, ishte artistja e parë e rëndësishme që paraqiti përvojën femërore.
Megjithatë, ndonëse pesë piktura të saj u ekspozuan në një ekspozitë të artit meksikan në Tate në vitin 1953 (një vit para vdekjes së saj në moshën 47-vjeçare), vetëm gjatë viteve 1970-1980 filloi të marrë formë “fenomeni Frida” (siç e përshkruan një kurator i ekspozitës së re). Fillimisht, ajo u përqafua nga artistët çikano (domethënë meksikano-amerikanët), gjë që nxiti interesimin për Kahlon mes artisteve feministe si Judy Chicago dhe Kiki Smith, si edhe mes historianeve të artit që dëshironin të sfidonin kanunin patriarkal. Më pas, në vitin 1983, u botua biografia e rëndësishme e Kahlos nga Hayden Herrera, që më vonë u përshtat në filmin biografik që fitoi Oskarin më 2002 - me regji të Julie Taymorit dhe me Salma Hayekun në rolin kryesor.
Dikur Kahlo perceptohej si viktimë, por në dekadat e fundit kjo ka ndryshuar dhe sot ajo është figurë simbol i epokës së politikave të identitetit. Disi si një shenjtore mbrojtëse, ajo tani përfaqëson gjëra të ndryshme: feminizmin, identitetin kuir, fluiditetin gjinor, pranimin pozitiv të trupit dhe kundërshtimin e diskriminimit ndaj personave me aftësi të kufizuara. Ajo mishëron rebelimin, qëndrueshmërinë përballë vështirësive dhe, duke pasur parasysh përfshirjen e saj në Partinë Komuniste të Meksikës, politikën e majtë. Falë atyre fustaneve indigjene shumëngjyrëshe dhe me motive që pëlqente t’i vishte, ajo është gjithashtu një ikonë mode. Mbi të gjitha, sipas Tobias Ostranderit, bashkëkurator i ekspozitës së Tate Modern-it, Kahlo është simbol i kundërshtimit “antipatriarkal” ndaj “dominimit të burrit të bardhë.” Ajo është shndërruar në një mishërim të ideve, çështjeve dhe shqetësimeve bashkëkohore.
Megjithatë, pyes veten nëse kjo do të thotë se po dëshmojmë kulmin e famës së saj. Politikat e identitetit e përcaktojnë momentin tonë antipatriarkal, por mund të mos e përcaktojnë të ardhmen në të njëjtën mënyrë; tashmë ka shenja se ndikimi i tyre po zbehet. Konsumatorët e së nesërmes mund të zgjedhin një tjetër “ikonë” nga historia e artit - për të mishëruar preokupimet dhe dëshirat e tyre; kush e di, ndoshta Brezi Alfa, ndërsa përpiqet të sigurojë stabilitet financiar, do të kërkojë një ikonë të sigurisë dhe qetësisë e jo të rebelimit? Kahlo mund të jetë në kulmin e saj sot, por brezi i ardhshëm me gjasë do të jetë i fiksuar pas gjërave të tjera dhe do të ketë nevojë për një tjetër shenjtore mbrojtëse. /Telegrafi/


