Please enter at least 3 characters.

Si të paraqisni një ankesë nëse ju xhirojnë në hapësira publike në Kosovë

45:"Young man is making memories with his camera.
12:"Getty Images

Në kohën kur secili qytetar potencialisht me anë vetëm të një telefoni të mençur apo mjeti tjetër mund të shndërrohet në kameraman dhe të xhirojë dhe publikojë video në rrjete sociale, apo në media tradicionale, kufiri në mes të lirisë së shprehjes dhe të drejtës për informim e të drejtës në privatësi po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u vendosur.

Po ashtu, jo të rralla janë rastet ku qytetarët të cilët kalojnë nëpër Sheshet publike të vendit përndiqen dhe pa pëlqimin e tyre bëhen pjesë e intervistave të ndryshme, shpeshherë pa asnjë interes publik dhe pastaj publikohen në rrjete të ndryshme sociale, apo edhe krejt në mënyrë rastësore pasqyrohen në video, si pamje ilustruese, pa pasur asnjë ndërlidhje me temën që po trajtohet në kronikë.

Në këtë drejtim roli i rregullatorëve, si: Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), Komisioni i Pavarur për Media (KPM), apo edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) bëhet esencial për të vendosur standardet se cilët janë kufijtë, kur dhe në çfarë rastesh mund të xhirojmë e të publikojmë një material dhe mbi të gjitha cila është rruga dhe adresa për t’u mbrojtur nga filmimet që tejkalojnë standardet e ndërhyrjes në privatësinë tonë.

Ky shkrim ka në fokus filmimet në hapësirat publike, rrugët, Sheshet, parqet dhe hapësirat e tjera publike, ku individët kanë një pritje të arsyeshme për privatësi, në veçanti në rastet kur e drejta për informim dhe liria e shprehjes keqpërdoren apo tejkalohen dhe qytetarët bëhen objekt i filmimit të papërgjegjshëm, e pastaj pamjet keqpërdoren në mënyrë të paligjshme – duke cenuar kështu të drejtën për privatësi si një të drejtë themelore; duke konstituuar kështu të drejtën për Ankesë.

Përderisa Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe legjislacioni tjetër relevant janë shumë më strikt në mbrojte të privatësisë në hapësira private dhe paprekshmërisë së banesës çështja e të drejtës së privatësisë në ambiente publike sikurse janë Sheshet dhe rrugët është shumë më e diskutueshme.

Mbrojta e të dhënave personale në Kosovë ndërtohet mbi disa shtylla kryesore, që janë të harmonizuara me standardet më të larta evropiane, sikurse është Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR) dhe Udhëzimet që burojnë prej kësaj Rregulloreje.

Po ashtu, mbrojtja e privatësisë nga xhirimi dhe publikimi nga mediat mund të adresohet edhe te mekanizmat rregullues, siç është KPM, apo vetërregullues si KMSHK, teksa në rastet kur qytetarët xhirohen nga kushdo në ambientet private apo aty ku ka pritje të thella për privatësi mund të konsumohet edhe vepra penale e përcaktuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, e dënueshme deri në 3 vjet burg.

Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Udhëzuesit e AIP-së nuk definojnë në mënyrë eksplicite se çka përbën hapësirë publike dhe aq më pak nuk ndalojnë xhirimin e pamjeve në vende publike, sikurse janë Sheshet, parqet, rrugët. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se qytetarët të cilët xhirohen nëpër vende publike nuk mund të mbrojnë privatësinë e tyre dhe se subjektet, qofshin ato media apo qytetarë, kanë të drejtë të xhirojnë personat e tjerë në vende publike pa kufizime.

Në këtë drejtim Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (LMDHP) dhe AIP si përgjegjëse për zbatimin e këtij Ligji kanë përcaktuar dhe vendosur disa standarde në bazë të të cilave secila situatë do të vlerësohet dhe vendoset se a përbën shkelje të të dhënave personale, apo bie në fushëveprimin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave.

Kështu, Neni 4 i LMDHP përcakton parimet e përpunimit të të dhënave personale, që përcaktojnë ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale; përcaktojnë transparencën, kufizimin e qëllimit, minimizimin e të dhënave që përpunohen dhe kufizimin e ruajtjes së të dhënave.

Në këtë drejtim të dhënat personale, pamjet e subjekteve që grumbullohen në hapësira publike, duhet të jenë të ligjshme, nuk duhet të cenojnë dinjitetin e subjekteve, duhet të merren vetëm për qëllime të qarta e legjitime dhe në shërbim të interesit publik.

Po ashtu, të dhënat që grumbullohen duhet të përdoren në mënyrë të drejtë e të saktë dhe të ruhen vetëm për aq kohë sa është e nevojshme për arritjen e një qëllimi të ligjshëm.

Të gjitha këto përcaktime të LMDHP-së ndërlidhen edhe me Nenin 5 dhe Pikën 1.1 e 1.5 të Paragrafit 1 të këtij Neni, që përcakton se përpunimi i të dhënave mund të bëhet vetëm me pëlqimin e subjektit apo në rrethana të caktuara që renditen nga ky Nen, ku relevant për situatën tonë është Pika 1.5 që parasheh: “1.5. nëse përpunimi është i domosdoshëm për kryerjen e një detyre me interes publik ose për ushtrimin e autoritetit zyrtar që i është dhënë kontrolluesit”.

Pra, bazuar në përcaktimet e LMDHP-së filmimi në hapësira publike nuk është automatikisht i paligjshëm, mirëpo përdorimi i pamjeve që identifikojnë persona kërkon bazë ligjore e pëlqimin e tyre, në dobi të interesit publik, si një nga bazat e Nenit 5 të LMDHP-së.

Të gjithë qytetarët të cilët pretendojnë se janë filmuar dhe pamjet e tyre janë publikuar nga ndonjë individ apo media në kundërshtim me Ligjin dhe pa pëlqim mund të parashtrojnë Ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

AIP e ka bërë më të lehtë parashtrimin e Ankesave. Përveç pranimit të Ankesave fizikisht ka publikuar një Formular që kërkon të dhëna bazike nga ankuesi dhe që është i qasshëm e i dukshëm në uebfaqen e AIP-së.

Me rastin e paraqitjes së Ankesës është thelbësore të mblidhni sa më shumë prova dhe të përshkruani sa më saktë rrethanat e shkeljes që ju pretendoni se është kryer.

Praktika e parashtrimit të Ankesës në AIP zakonisht është me shkrim. Thelbësore është përshkrimi i detajeve dhe të dhënave të shkelësit, nëse ju i dini ato (emri i individit, emri i medias, Kompania, linku i postimit online, apo materiali i transmetuar në televizion). Po ashtu, është shumë e rëndësishme edhe përcaktimi i ngjarjes, se ku dhe kur ka ndodhur, çka është filmuar dhe si është pasqyruar, apo përdorur pamja; në çfarë përshkrimi, çfarë konteksti i është dhënë pamjeve gjatë përdorimit.

Pra, provat janë element qenësor i rastit dhe secili ankues duhet të ofrojë pamje, siç janë: fotografitë, apo pamjet e ekranit (screeshots) të postimeve online, video incizime, apo edhe dëshmi të dëshmitarëve – nëse janë relevant për çështjen.

Është e rëndësishme të parashtroni edhe Kërkesën tuaj qartë – duke kërkuar fshirjen e pamjeve, ndalimin e përdorimit të pamjeve, apo korrigjimin e tyre që rregullohen në Kreun V të LMDHP-së.

Megjithëse nuk ka një afat të përcaktuar për parashtrimin e Ankesave pranë AIP-së është tejet e rëndësishme që në momentin e parë që ankuesi e kupton se i është cenuar privatësia të parashtrojë Ankesën, teksa AIP duhet që brenda 3 muajve ta njoftojë ankuesin për epilogun e Ankesës së tij.

Përveç AIP-së, qytetarët të cilët pretendojnë se janë filmuar dhe identifikuar nga mediat mund të parashtrojnë Ankesë në Komisionin e Pavarur për Media (nëse shkelësit e pretenduar janë televizione) dhe në Këshillin e Mediave të Shkruara (nëse mediat janë të shtypura apo online), si dhe të thirren në Kodet Etike respektive të këtyre mekanizmave, që i kushtojnë rëndësi ruajtjes së privatësisë.

Përderisa KPM mund të shqiptojë edhe gjoba ndaj shkelësve dhe t’i detyrojë të ndërmarrin veprime për të evituar pasojat, Vendimet e KMSHK-së nuk kanë fuqi detyruese, por mund të shërbejnë si prova shumë të rëndësishme, nëse pala pretendon të ushtrojë padi për kompensim dëmi në Gjykatë, për shkak të shkeljes së privatësisë dhe dëmeve që mund të ketë pësuar nga kjo shkelje.

Gjithmonë, krahas veprimeve civile dhe administrative, fotografimi apo filmimi i paautorizuar në ambiente private, apo ku subjektet janë të prirura për privatësi mund të përbëjë shkas edhe për parashtrimin e Kallëzimit penal dhe fillimin e hetimit penal ndaj shkelësve./KALLXO.com