Please enter at least 3 characters.

Si dhe nga kush u nxit shpërngulja e serbëve nga Kosova?!

Shërbimet e qarqeve politike nacionaliste serbe për t’i dhënë një “mbështetje” gjoja shkencore politikës grabitqare ndaj tokave shqiptare të Kosovës, ato duhej të propagandonin edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, se Kosova është “Djep i Serbisë”, andaj çdo tentim për pastrimin e Kosovës nga shqiptarët është i arsyeshëm, sepse sipas kësaj demagogjie pas tërheqjes së serbëve nga Kosova gjatë luftës turko – austriake, vendin e tyre e zunë shqiptarët e ardhur nga viset e brendshme të Shqipërisë së Veriut.

Kjo frymë e dezinformimit të popullatës serbe në Kosovë u bë moto e punës dhe jetës së tyre, madje u ngrit në një shkallë më të lartë

Për largimin e serbëve nga Kosova siç është vepruar edhe gjatë të kaluarës edhe pas luftës së lavdishme të UÇK-së janë shkruar shumë monografi e studime të veçanta, por që nuk kanë mundur t’i shmangen paraardhëse të tyre joobjektivë lidhur me numrin e të shpërngulurve dhe të përkatësisë etnike të tyre, si dhe për arsyet e largimit të tyre, me qëllimin e vetëm që ta “turbullojnë” sa më tepër situatën.

Fatkeqësisht, në këto ujera të turbullta ranë dhe disa vende të botës, të cilat verbërisht po i besojnë propagandës serbe se gjoja popullata serbe u largua nga Kosova pas presionit që nisën të ushtrojnë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë qarqe të ndryshme nisën të akuzojnë ushtarët shqiptarë se gjoja kanë ushtruar trysni dhe janë ftuar një numër i madh i tyre për t’u përballuar me gjykatat ndërkombëtare të instaluara në Kosovë, me qëllim që të krijojnë rend dhe qetësi në Kosovë.

Por, qarqet ndërkombëtare e mjerisht në shumë raste edhe ato vendore, nuk përfillën fare realitetin e ri të krijuar në Kosovë.

Në këtë mënyrë, pas tërheqjes me rekomandime të politikanëve serbë, për qëllime gjithnjë politike, në shumë banesa u vendosën të pastrehët, që u kthyen nga vendet ku kishin kaluar kohën sa qëndruan larg Kosovës. Gjithsesi se në mesin e të pastrehuarve, që qenë të detyruar të strehohen në banesat e mbetura të zbrazëta kishte edhe nga radhët e ushtarëve të UÇK-së, të cilët gjithsesi janë strehuar nëpër shtëpi apo banesa private apo shoqërore me pëlqimin e institucioneve të përkohshme komunale.

Tehu i shënimit tim, nuk ka të bëjë këtë radhë për mënyrën dhe arsyen e strehimit, por po përpiqem që të sqaroj se vendosja e disa ushtarëve të UÇK-së nëpër banesat e pronarëve serbë, nxori në pah edhe një mal me dokumente në lidhje me aktivitetin e qytetarëve serbë gjatë regjimit serb në Kosovë.

Në shumë banesa janë gjetur ditarë me qindra faqesh, dokumente zyrtare, letra këmbimi, fotografi dhe dëshmi të shumta, që gjithsesi do të jenë një thesar i çmuar që do ta pasurojnë historinë tonë më të re, por njëherësh edhe do ta demantojnë politikën shoviniste serbë se gjoja largimi i serbëve nga Kosova është bërë me dhunë. Në shumë nga ditarët e mbajtur nga ish personalitete të njohura të jetës shoqërore e politike, ku përmes këtyre dokumentacioneve është përshkruar në mënyrë të detajuar çdo lëvizje e forcave serbe, por gjithsesi përmes këtyre shkresave na ofrohen shumë të dhëna edhe për dhunën që është ushtruar ndaj popullatës së pafajshme të Kosovës, madje zbardhet edhe fati i shumë qytetarëve, që janë vrarë e masakruar, por edhe i atyre që konsiderohen të zhdukur.

Duke i analizuar këto dokumente, mbi të gjitha mësohen shumë “sekrete” të regjimit serb në lidhje me largimin e serbëve nga Kosova dhe së këndejmi del përgjigja e shumë kërkuar nga organizmat ndërkombëtar, por edhe ata vendor kush e largoi popullatën serbe nga Kosova? Çka ndikoi që ata të marrin një vendim kaq të shpejtë për t’u larguar nga Kosova? Pse mbetën nëpër banesat e tyre dokumentet sekrete të tyre pa i marrë me vete? Kush janë ata persona, që u larguan në njërën anë, por në anën tjetër lanë gjurmë të pashlyera.

Njëri ndër personalitetet me ndikim të madh në jetën shoqërore e politike në Prizren gjatë kohës së regjimit serb ka qenë edhe Dr. Dushko Todoroviq, kirurg i njohur në spitalin regjional të Prizrenit. Sipas dokumentacionit që ai ka lënë në banesën e tij, dëshmohet se ai ka qenë anëtar i shtabit ushtarak për Prizren dhe ka qenë i informuar për çdo lëvizje të çdo shqiptari. Populli e thotë një fjalë të urtë dhe me kuptim “Fati gjendet edhe në fatkeqësi!” Dhe vërtetë pas të gjitha atyre të këqijave, që u bëri shqiptarëve, me rastin e ikjes së tij, ai la në shtëpi një “thes” dokumente, la ditarin dhe një mori letërkëmbime.

Në këtë shënim të shkurtër po përpiqemi që ta komentojmë njërën nga shumë letrat, që janë ruajtur në shtëpinë e Dr. Dushkit, në dokumenta-cionin e tij të ruajtur ka dosje për secilin veprimtarë të Prizrenit e në veçanti për punonjësit shëndetësor.

Letra është e shkruar më 4 qershor 1999 nga një person me emrin Millosh, i cili në kohën kur e shkruan letrën gjendet në Beograd dhe nga andej i shkruan personit të dashur “Jelena” në lidhje pakënaqësinë e tij me regjimin serb që kanë arritur një marrëveshje me ndërkombëtarët në dëm të serbëve që jetojnë në Kosovë, andaj ja se çfarë shkruan për këtë:” Për fat të keq, nuk mund të të shkruaj për asgjë të bukur, sepse e kemi përjetuar edhe një tradhti nga ana e udhëheqësisë sonë. Ju këshilloj që sa më shpejtë, madje ju dhe Pexha (e kjo vlen edhe për të gjithë fëmijët) të largoheni nga Kosova, sepse gjithçka është e mundshme, që të ndodhë. Nuk di se sa jeni ju atje poshtë të informuar në lidhje me marrëveshjen, që e kemi nënshkruar...”

Po në këtë letër, të gjetur në mesin e dokumenteve të Dr. Dushkit, në mes tjerash, Milloshi paralajmëron se populli serb në Kosovë po planifikohet që të largohet nga Kosova me qëllim që ketë përfitime politike: ”Më parë u lajmërua daja i Tanjës dhe na ka thënë që poshtë (në Kosovë) populli është i gatshëm të niset së bashku me ushtrinë dhe policinë. Unë personalisht shpresoj sinqerisht se e ardhmja e trupave ushtarake nuk do të thotë vdekje dhe pësim i të gjithë serbëve në Kosovë. Unë pres që përsëri në Kosovë të bëhet qetë dhe të gjithë të jetojmë si përpara, por tani me kontrollin ndërkombëtar e jo më të pushtetit të Serbisë...”

Sipas kësaj letre del se largimi i serbëve nga Kosova, është bërë me paralajmërimin e njerëzve të Kosovës që kanë qenë në funksione në Beograd gjatë asaj kohe, sepse autori i kësaj letre, është autor anonim, por jo edhe pa funksion shtetëror, që ka pasur ndikim të madh në popullatën e Kosovës.


Andaj, kjo shkresë jo rastësisht është gjetur në dokumentet e Dr. Dushkit, i cili sipas dorëshkrimit të tij, jo vetëm se e ka shpërndarë këtë shkresë, apo mesazhin e kësaj shkrese, por ka shpresuar se kjo gjë do të ndodhte pas datës 14 qershor 1999, kur sipas ditarit të këtij mjeku të famshëm dhe njëherësh eprori të ushtrisë serbë në regjionin e Prizrenit, më 14 qershor në Prizren do të vriteshin 12 mijë shqiptarë e pastaj serbët të largoheshin nga Kosova së bashku me ushtrinë gjakatare të Serbisë, por fatmirësisht ky skenar nuk u realizua, sepse forcat e UÇK-së dhe ato të NATO-s hynë fitimtare në Prizren, ndërsa njerëzit që kishin marrë përsipër organizimin e skenarit në fjalë dhe të skenarëve tjerë, nuk arritën që të kthehen as në shtëpitë e tyre dhe kështu nuk patën afat që me vete t’i marrin dëshmitë që sot i posedon Kosova, përkatësisht ish pjesëtarët e UÇK-së.

Të nderuar lexues, shpresojmë se në këtë mënyrë sado pak u kemi dhënë një orientim se kush i largoi serbët nga Kosova, por gjithsesi përmes këtij shkrimi duhet ta dinë edhe organizmat ndërkombëtar se kthimi i atyre serbëve, që u larguan nga Kosova pa arritur t’i marrin dëshmitë me vete e kanë të vështirë që të kthehen, sepse ata e dinë se çfarë lanë nëpër shtëpitë dhe banesat e tyre.

Ata gjithashtu e dinë shumë mirë se kush i posedon ato dëshmi, andaj jo rastësisht menjëherë pas luftës nga “drejtësia” ndërkombëtare nisën të ndiqen ish pjesëtarët e luftës së UÇK-së e mjerisht me këtë skenarë po vazhdon të ndiqen edhe sot e gjithë ditën.

Sido që të jetë, me këtë rast u bëj thirrje edhe bashkëluftëtarëve tjerë të UÇK-së që t’i publikojnë dëshmitë e qytetarëve serbë, që janë duke i ruajtur, sepse ka ardhur koha, që ato dokumente të publikohen. Të publikohen sepse në këtë mënyrë historia e lavdishme e UÇK-së bëhet histori e artë dhe mbetet e shkruar me shkronja të arta për popullin e artë.

(Autori është ish-pjesëtar i UÇK-së)