"Shtëpia brenda shtëpisë" - çudia arkitekturore e Kroacisë
Në ishullin Braç të Kroacisë ndodhet një nga objektet më të pazakonta arkitekturore në bregdetin e Adriatikut – një ndërtesë e njohur si “Shtëpia brenda shtëpisë” (Kuça u kuçi), e cila prej dekadash tërheq kureshtjen e vizitorëve.
Në pamje të parë, objekti duket si një ndërtesë e vjetër dhe e papërfunduar. Por vetëm pasi afrohesh kupton veçantinë e saj: brenda mureve të një ndërtese të madhe gjendet një shtëpi më e vogël, sikur të ishte vendosur aty si një kukull ruse arkitekturore.
Sipas legjendës lokale, historia lidhet me një konflikt pronësie në fund të shekullit XIX. Familja e pasur detare Vukoviq donte të ndërtonte një rezidencë madhështore në qytetin Bol, por në mes të planit të tyre ndodhej shtëpia e një banori të quajtur Marko, i njohur me nofkën “Sila”, i cili refuzoi ta shiste pronën.
Thuhet se familja vendosi të ndërtonte pallatin rreth shtëpisë së Markos, duke ngritur mure të mëdha përreth saj, me shpresën se ai do të dorëzohej dhe do të largohej. Por projekti nuk përfundoi kurrë.
Sipas tregimit, tre vëllezër nga familja Vukoviq humbën jetën në det gjatë një udhëtimi për të siguruar materiale ndërtimi dhe pas kësaj ndërtimi u braktis. Marko, sipas legjendës, u kthye dhe jetoi në shtëpinë e tij të vogël, e cila kishte mbetur e rrethuar nga struktura gjigante.
Edhe pse nuk dihet me siguri se sa nga kjo histori është e vërtetë dhe sa është kthyer në legjendë me kalimin e kohës, një gjë është e sigurt: “Shtëpia brenda shtëpisë” është sot një nga simbolet më interesante të ishullit Braç dhe një dëshmi e një historie të pazakontë për këmbënguljen dhe konfliktin njerëzor. /Telegrafi/


