Shtatë klube të reja i bashkohen Ligës së Parë të Kosovës në futsall
Liga e Parë e Kosovës në futsall do ta nisë edicionin 2026/27 me një format të zgjeruar, teksa në garë do të marrin pjesë gjithsej 14 skuadra.
Pjesë e këtij edicioni do të jenë edhe shtatë klube të reja, të cilat do t’i japin garës një dimension të ri dhe pritet të sjellin më shumë konkurrencë në kampionat.
Skuadrat që do t’i bashkohen Ligës së Parë në edicionin e ri janë: Ballkani Futsal, Dukagjini 03, Fushë Kosova 01, Legjendat, Lipjani, Vitia dhe Vëllaznimi.
Shtimi i këtyre ekipeve është një tjetër dëshmi e rritjes së interesimit për futsallin në Kosovë dhe e zhvillimit të kësaj disipline sportive në vend.
Me ardhjen e skuadrave të reja, edicioni 2026/27 pritet të sjellë më shumë rivalitet, ndeshje interesante dhe një garë të fortë për objektivat e sezonit.
Komisioni i Futsallit u ka uruar mirëseardhje klubeve të reja, duke iu dëshiruar suksese në edicionin e ri dhe një kampionat sa më cilësor. /Telegrafi/


