Please enter at least 3 characters.

Dy shoferë ndëshkohen për shkelje të rënda në komunikacionin rrugor në Ferizaj

Njësia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka shqiptuar masa ndëshkuese ndaj dy shoferëve për shkelje të rënda të rregullave të komunikacionit.

Rasti i parë ka ndodhur më 3 nëntor në rrugën magjistrale Ferizaj–Gjilan, në fshatin Dardani, ku një person me automjet furgon të tipit Mercedes kryente tejkalim në vijë të plotë.

Kundërvajtja u fotografua nga një qytetar dhe u raportua në polici. Pas verifikimit u konstatua se automjetin e drejtonte një i mitur, M.I. (16 vjeç), pa patentë shoferi. Policia ka iniciuar procedurë pranë gjykatës për kundërvajtje, përcjell Telegrafi.

Rasti i dytë ka ndodhur më 11 nëntor, rreth orës 13:23, në rrugën magjistrale Fusha e Pajtimit – Kaçanik, në një zonë me kufizim shpejtësie 50 km/h, ku shoferi B.V. (28 vjeç) drejtonte një automjet BMW me shpejtësi 120 km/h.

Për këtë shkelje, ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 600 eurosh, pasi posedonte patentë shoferi të huaj.

Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë shoferët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë, shenjat dhe rregullat e komunikacionit rrugor, për të rritur sigurinë në rrugë dhe për të parandaluar aksidentet. /Telegrafi/