Shkëndija e mbyll me barazim fazën e përgatitjeve në Turqi
Kampioni i Maqedonisë së Veriut ka zhvilluar pasditen e sotme ndeshjen e fundit miqësore në kuadër të përgatitjeve në Antalia të Turqisë. Takimi mes Shkëndijës dhe Ordabasit nga Kazakistani u mbyll me rezultat të barabartë 1:1, njofton Telegrafi.
Skuadra kazake kaloi në epërsi në pjesën e parë me golin e Meilit, ndërsa në minutat e fundit të ndeshjes Shkëndija arriti të barazojë përmes Trumçit, duke vendosur shifrat përfundimtare 1:1.
Pas kësaj miqësore, ekspedita e Shkëndijës rikthehet në vend, ku do të vazhdojë fazën përfundimtare të përgatitjeve para nisjes së pjesës pranverore të sezonit 2025/26.
Tetovarët i presin gjithashtu edhe dy përballje të rëndësishme në Ligën e Konferencës, ku më 19 dhe 26 mars do të përballen me ekipin turk Samsunspor. /Telegrafi/


