Please enter at least 3 characters.

​Sergjan Lazoviq dënohet me 12 vjet e 6 muaj burg për krime lufte në Malishevë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dënuar me 12 vjet e 6 muaj burgim, Sergjan Lazoviq, i akuzuar për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës, raporton KosovaPress.

Në seancën e shpalljes se aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili e ka shpallur Lazoviq fajtor, duke lexuar aktakuzën ndaj tij.

“Është fajtor sepse në periudhën kohore 98-99 gjatë kohës se luftës në Kosovë, në fshatin Pranorc, Malishevë duke vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë gjatë një konflikti me karakter jo ndërkombëtarë të zhvilluar mes pjesëtarëve të UÇK-së dhe forcave policore të Serbisë ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, rregullin 3 dhe ka kryer arrestime dhe privime të kundërligjshme nga liria, keqtrajtime fizike, dëbime, shkatërrime të pasurisë së paluajtshme të popullsisë civile të komunitetit shqiptarë. Arrestimet dhe keqtrajtimet nga 3 shtatori ‘98 deri 5 shtator në fshatin Pronoc, i armatosur e i uniformuar në bashkëkryerje me persona të tjerë me qellim frikësimi dëbimi dhe spastrimi etnik të popullsisë shqiptare ka arrestuar, torturuar e keqtrajtuar rreth 500 qytetarë civil të cilët nuk ishin të përfshirë në konflikt”, tha Ismaili.

Ai më tej tha se i akuzuari ka kryer veprën penale kundër popullsisë civile dhe dënohet me 12 vjet e 6 muaj burgim.

“Me këtë i akuzuari ka kryer veprën penale kundër popullsisë civile, në bazë të dispozitave ligjore të akuzuarin e gjykojnë me dënim burgimi me kohëzgjatje prej 12 vitesh e 6 muaj”, tha ai.

Sipas aktakuzës Sergjan Lazoviq akuzohet se në periudhën kohore 1998-99, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Panorc në komunën e Malishevës duke vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe ka kryer arrestime dhe privim të kundërligjshëm nga liria, keqtrajtime fizike dhe psikike.

Lazoviq ka arrestuar, torturuar, keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht, rreth 500 qytetarë civilë, të cilët nuk ishin të përfshirë në konflikt.

Me këto, Sergjan Lazoviq akuzohet se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. /KP/