Salzburgu ia shënon tre gola Shkëndijës
Me rezultat 3-0, Shkëndija e ka humbur ndeshjen e parë ndaj Red Bull Salzburgut në kuadër të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Kampioni i Maqedonisë i pati disa raste në pjesën e parë, të cilat nuk i konkretizoi, ndërkohë që nikoqirët i shënuan dy gola.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 16-të kur Munas Dabbur e konvertoi në gol një penallti të akorduar në favor të vendasve.
Nikoqirët e shënuan edhe një gol në fund të fraksionit të parë, ndërsa realizues ishte sërish Munas Dabbur (45').
Në gjysmën e dytë, Salzburgu e realizoi edhe golin e tretë nga një tjetër penallti të ekzekutuar nga Diadie Samassekou (81').
Rezultati prej 3-0 është shumë i vështirë për t'u përmbysur, mirëpo në futboll gjithçka është e mundshme.
Ndeshja kthyese do të zhvillohet pas një jave në stadiumin Filipi II në Shkup. /Telegrafi/


