Sabalenka fiton me stil US Open, konfirmon dominimin në botën e tenisit
Tenistja më e mirë në botë, Arina Sabalenka, e ka fituar me stil titullin e US Open 2025, duke mposhtur në finale Amanda Anisimovën (e 9-ta në ranglistën WTA) me rezultat 6:3, 7:6.
Edhe pse bjellorusja shihej si favorite e madhe, pritej që tenistja amerikane të ofronte më shumë rezistencë para publikut të saj në Nju Jork. Megjithatë, Sabalenka dëshmoi edhe një herë pse është numri një i botës, duke dominuar në momentet kyçe.
Në setin e parë, ajo rikuperoi disavantazhin 3:2 dhe një “break” pas, për të fituar katër game radhazi dhe për ta mbyllur setin me autoritet.
Seti i dytë solli më shumë dramë. Anisimova u rikthye duke ia thyer shërbimin Sabalenkës kur kjo e fundit po shërbente për titull, duke e çuar rezultatin në barazim. Por në “tie-break”, Sabalenka tregoi sërish forcë dhe përfundoi finalen me shifrat 7:3.
Ky është Grand Slami i katërt në karrierën e Sabalenkës, të gjithë të fituar në fushë të fortë: Australian Open 2023 dhe 2024, si dhe US Open 2024 dhe 2025. Në total, ajo tani ka 21 tituj WTA në karrierë.
E veçanta e këtij triumfi është fakti se Sabalenka humbi vetëm një set gjatë gjithë turneut, atë në gjysmëfinale ndaj Jessica Pegulas, duke konfirmuar edhe një herë pse konsiderohet si tenistja më e fortë në botë. /Telegrafi/


