Rusia rekrutonte burra të dehur në kulmin e krizës ushtarake
Kur Egor Sabiniq (33 vjeç) u zgjua i dehur pas një nate me shokët në Petrozavodsk, një qytet në veri të Rusisë, ai mendoi se ishte në një qendër detoksifikimi.
Më vonë zbuloi se në të vërtetë ishte në zyrën e mobilizimit ushtarak. Ai, një baba i katër fëmijëve, thuhet se u ndalua nga policia dhe – ndërsa ishte i dehur – nënshkroi pa e kuptuar një kontratë ushtarake. Më pas u tha se kishte zgjedhje: ose të shkonte me rekrutuesin te komanda ushtarake, ose të shkonte në burg.
Organizatave ruse për të drejtat e njeriut u është bërë shqetësuese rritja e rasteve ku burrat e dehur mashtrohen ose detyrohen të firmosin kontrata për t’u bërë ushtarë.
Disa rekrutojnë njerëz duke u zhvendosur dorën për ta nënshkruar dokumentin, ose i bindin ata me metoda mashtruese, raporton evropaelire (në gjuhën serbe).
Raportet tregojnë se forcat ushtarake ruse po hasin mungesë rekrutësh, pasi humbjet në front janë më të mëdha se kapaciteti për zëvendësim. Për këtë arsye, autoritetet po përdorin forma të reja dhe joformale rekrutimi, përfshirë ftesa për të burgosurit, persona nën hetim penal, emigrantë dhe njerëz të varfër apo me probleme me alkoolin.
Gjithashtu ka rritje të rasteve kur personave - përfshi edhe ata që kanë varësi nga alkooli, droga ose lojërat e fatit - u ofrohen kontrata me premtime bonusesh dhe pagesa, si një mënyrë për të plotësuar kuotat e rekrutimit.
Disa burime thonë se shpesh forcat e sigurisë kërkojnë listat e njerëzve me varësi, i ndjekin vendbanimet e tyre dhe i detyrojnë të firmosin për t’u bërë pjesë e ushtrisë.
Avokatë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut thonë se policia në disa raste i jep kontrata burrave të dehur duke u thënë se është ndonjë dokument tjetër, siç është p.sh. një formular për kontroll policor – dhe vetëm më vonë këta njerëz kuptojnë se janë rekrutuar në ushtri.
Kritikët thonë se kjo praktikë paraqet një mungesë të thellë të përgatitjes dhe moralit, dhe se ushtria ruse po përdor njerëz pa përvojë, të varfër ose në gjendje të dobët shëndetësore si “mish për top”. /Telegrafi/


