Rrjedh kërkesa e ushtrisë amerikane: Kërkohen “ide të reja dhe jokonvencionale” për ta ndëshkuar Iranin
Një komunikim i brendshëm i ushtrisë amerikane ka zbuluar se Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara po kërkon mënyra të reja, kreative dhe jokonvencionale për të ushtruar presion ndaj Iranit.
Sipas raportimit të CNN-it, një zyrtar i lartë i sektorit të inteligjencës në Komandën Qendrore të SHBA-së, e njohur si CENTCOM, u ka dërguar të mërkurën një email një numri të madh analistësh ushtarakë
“Na duhen ide”, thuhej në mesazhin e brendshëm transmeton Telegrafi.
Në email kërkoheshin propozime për “mënyra të reja, kreative dhe jokonvencionale për ushtrimin e presionit dhe ndëshkimin e Iranit”. Ekzistenca e mesazhit është konfirmuar nga dy burime të njohura me komunikimin sipas CNN.
Kërkesa e pazakontë, e cila i ngjante një sesioni të gjerë për mbledhjen e ideve, shihet si tregues se administrata amerikane po përballet me një numër gjithnjë e më të kufizuar alternativash përballë Teheranit.
Zyrtarët ushtarakë kanë thënë se dërgimi i një kërkese të tillë përmes emailit nuk është praktikë e zakonshme. Sipas raportimit, CENTCOM po shqyrton të gjitha mundësitë dhe po rivlerëson strategjinë e saj ndaj Iranit.
“Komanda Qendrore e SHBA-së ka një histori të gjatë të të menduarit dhe veprimit inovativ”, deklaroi kapiteni Timothy Hawkins, zëdhënës i CENTCOM-it.
Emaili ishte dërguar përpara kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për nisjen e sulmeve të reja ndaj Iranit. Trump më pas hoqi dorë nga operacioni i planifikuar gjatë fundjavës, pas ndërhyrjes së disa zyrtarëve rajonalë.
Sipas raportimit, princi saudit i kurorës ishte ndër zyrtarët që e telefonuan Trumpin dhe i kërkuan të shmangte përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Trump deklaroi se sulmi i planifikuar ishte anuluar me kusht që Shtetet e Bashkuara dhe Irani të arrijnë shpejt një marrëveshje. Ai pretendoi gjithashtu se ishte shënuar përparim në negociata, përfshirë çështjen e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, mediat shtetërore iraniane nuk kanë dhënë shenja se Teherani ka kërkuar anulimin e sulmeve apo se ka ndryshuar qëndrimin lidhur me këtë korridor strategjik detar./Telegrafi/.


