Please enter at least 3 characters.

Rrezik serioz për punëtorët, Inspektorati ndal punimet në dy kantiere në Podujevë e Shtime

Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në dy kantiere ndërtimi në Podujevë dhe Shtime, pasi gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore që rrezikonin jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

Sipas njoftimit të Inspektoratit, inspektimet janë kryer pas raportimit të rasteve.

“Gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve”, thuhet në njoftim.

Për shkak të mungesës së masave të nevojshme të sigurisë, Inspektorati ka urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të punimeve në dy kantiere.

“Për shkak të mungesës së masave të nevojshme të sigurisë, Inspektorati ka ndaluar menjëherë punimet në dy kantiere ndërtimi, në Podujevë dhe Shtime, deri në eliminimin e plotë të parregullsive të evidentuara”, theksohet në njoftim.

Ndërkaq, në Komunën e Ferizajt është hapur rast në Policinë e Kosovës, pasi një punëdhënës dyshohet se ka vazhduar punimet pavarësisht vendimit për ndalimin e tyre.

“Në rastin në Komunën e Ferizajt, është hapur rast në Policinë e Kosovës, për dëmtimin e shiritit ndalues, pasi punëdhënësi, edhe përkundër vendimit në fuqi për ndalimin e punimeve, ka vazhduar punën në kundërshtim me urdhrin e inspektorit”, thuhet më tej.

Inspektorati ka bërë të ditur se subjektet e inspektuara janë të obliguara të eliminojnë të gjitha parregullsitë, ndërsa punimet do të lejohen të rifillojnë vetëm pasi të konstatohet se janë përmbushur kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë.

Në fund, Inspektorati Qendror i Punës ka ritheksuar se kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës.

“Inspektorati Qendror i Punës mbetet i përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe do të vazhdojë kontrollet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke ndërmarrë masa ndaj çdo subjekti që cenon sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/