Rreth 50 lojtarë të Serie A përmenden në një skandal prostitucioni në Itali
Autoritetet italiane kanë goditur një rrjet të dyshuar për shfrytëzim të prostitucionit dhe organizim të ngjarjeve të lidhura me jetën e natës, i cili sipas hetimeve u ofronte shërbime klientëve të pasur, përfshirë sportistë dhe futbollistë profesionistë.
Burime hetimore konfirmuan për agjencinë EFE të martën se operacioni u zhvillua nga Guardia di Finanza.
Sipas asaj që raporton La Gazzetta dello Sport, në këtë çështje përmenden rreth 50 lojtarë të Serie A si klientë, mes tyre edhe disa futbollistë të Interit dhe Milanit.
Në materialet hetimore përmendet gjithashtu rasti i një gruaje shtatzënë, që sipas raportimeve mbeti në këtë gjendje pas një marrëdhënieje me një nga përdoruesit e këtij rrjeti.
#GdiF#Milano: favoreggiamento e sfruttamento della prostituzione. Eseguiti 4 arresti nei confronti di un sodalizio criminale attivo nell’organizzazione di eventi della movida.#NoiconVoi#cittadinoinformato#informareperconoscerepic.twitter.com/UnMW9gzOmJ
— Guardia di Finanza (@GDF) April 20, 2026
Hetimi po zhvillohet nga Gjykata e Milanos me kërkesë të Prokurorisë.
Si pjesë e operacionit, katër persona janë vendosur në arrest shtëpie, të dyshuar për “lehtësim të prostitucionit” përmes organizimit të shërbimeve të eskortave, si dhe për pastrim parash të përfituara nga kjo veprimtari.
Njësia e Policisë Ekonomike-Financiare në kuadër të Guardia di Finanza ka sqaruar se organizata, përmes eventeve që organizonte, u krijonte mundësi klientëve të pasur “të kishin akses edhe në shërbime seksuale”.
Sipas burimeve, në disa raste në këto festa është kërkuar edhe përdorimi i oksidit të azotit (nitrous oxide), i njohur si “laughing gas”, një substancë me përdorim mjekësor (anestezik/analgjezik) që keqpërdoret edhe si drogë rekreative.
Përmendet edhe një pilot i Formula 1
Sipas përgjimeve telefonike të publikuara nga La Gazzetta, në këtë rrjet përmendet edhe një pilot i Formula 1, i cili dyshohet se ka kërkuar “të dashur me pagesë”.
Në një prej bisedave të cituara, një person i përfshirë thuhet se ka kërkuar: “Kam një mik që është pilot i Formula 1 dhe do një të dashur me pagesë. A mund t’ia gjejmë?”, ndërsa përgjigjja e pretenduar ka qenë: “Do t’ia dërgoj brazilianen”.
Gjatë operacionit janë kryer kontrolle në disa prona dhe janë sekuestruar mbi 1.2 milionë euro, të cilat autoritetet i konsiderojnë të ardhura të paligjshme nga aktiviteti nën hetim.
A #Milano un giro di #escort di lusso nei locali alla moda. Tra i clienti ci sono anche calciatori di Serie A e un pilota di Formula Uno. La Guardia di finanza sequestra oltre un milione di euro.#Tg1 Stefano Fumagalli pic.twitter.com/ic0ZjxyZuC
— Tg1 (@Tg1Rai) April 20, 2026
Sipas dosjes, rrjeti ofronte “paketa all-inclusive” me çmime prej disa mijëra eurosh, që përfshinin darka në ambiente ekskluzive të jetës së natës në Milano, akomodim në hotele luksoze dhe shoqërimin e grave.
Hetuesit pretendojnë se gjithçka operohej nën petkun e një agjencie eventesh në zonën metropolitane të Milanos, e cila për vite me radhë organizonte festa në klube nate dhe lokale të tjera, ndërkohë që merrej edhe me rekrutimin e grave, përfshirë eskorta profesioniste.
Sipas hetimeve, disa nga të rejat strehoheshin në prona të lidhura me vetë agjencinë dhe më pas paguheshin për shërbimet e ofruara ndaj klientëve. /Telegrafi/


