Rodri kritikon qasjen taktike të Kepit të Gjelbër: Nuk e kalonin as mesfushën, kështu luajnë ata
Rodri nuk e fshehu zhgënjimin pas barazimit pa gola të Spanjës ndaj Kepit të Gjelbër në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës, duke kritikuar qasjen taktike të kundërshtarit.
Spanja konsiderohej favorite absolute për këtë përballje të grupit H, me 65 pozita diferencë mes dy kombëtareve në renditjen e FIFA-s para ndeshjes. Megjithatë, debutuesit nga Kepi i Gjelbër arritën të sigurojnë një pikë historike falë një organizimi të shkëlqyer defensiv.
Rastin më të mirë për “La Rojan” e pati Ferran Torres, i cili goditi traversën, ndërsa portieri veteran Vozinha, 40-vjeçar, realizoi disa pritje vendimtare për ta mbajtur portën të paprekur.
Përzgjedhësi Luis de la Fuente aktivizoi edhe Lamine Yamal në pjesën e dytë në kërkim të golit të fitores, por skuadra afrikane rezistoi deri në fund për të regjistruar një nga rezultatet më të mëdha në historinë e futbollit të vendit.
Pas ndeshjes, Rodri pranoi se Spanja kishte vështirësi të thyente mbrojtjen e kundërshtarit.
“Nuk ishte e shkruar të ndodhte. Nuk kemi shumë për çfarë të ankohemi”.
“E dinim se ishte një ndeshje që kërkonte durim. Ata u tërhoqën mbrapa dhe mbroheshin shumë shpejt. Ne krijuam raste, por nuk arritëm t’i konkretizonim”.
“Ana pozitive është se ata pothuajse nuk krijuan asgjë kundër nesh. Duhet të përmirësojmë finalizimin”, deklaroi mesfushori i Manchester Cityt.
Kapiteni i Spanjës komentoi edhe stilin e lojës së Kepit të Gjelbër, duke lënë të kuptohet se kundërshtarët ishin të fokusuar vetëm në mbrojtje.
“Kështu luajnë ata. Nuk e kalojnë mesfushën. Është çështje e përmirësimit të finalizimit”, shtoi Rodri.
Pas këtij barazimi befasues, Spanja do të kërkojë reagim në ndeshjet e ardhshme të grupit, ndërsa Kepi i Gjelbër ka fituar besim të madh pas pikës historike ndaj një prej favoriteve të turneut./Telegrafi/


