Please enter at least 3 characters.

Rinovim kontrate dhe dy super sulmues – ja çfarë e pret Artetën pasi e shpalli Arsenalin kampion

Arsenali po përgatit një kontratë të re të rëndësishme për Mikel Artetën pas triumfit të klubit në Ligën Premier. “Topçinjtë” po ecin njëkohësisht përpara edhe me plane ambicioze për afatin kalimtar të verës, me Eli Junior Kroupi dhe Julian Alvarez mes objektivave kryesorë.

Arsenali është gati t’i ofrojë Artetës një rritje të ndjeshme të pagës, pasi ai e udhëhoqi skuadrën drejt titullit kampion në Ligën Premier. Spanjolli, i cili mori drejtimin e ekipit në dhjetor të vitit 2019, aktualisht fiton rreth 10 milionë euro në vit, plus bonuse, por kontrata e ardhshme mund ta rendisë atë mes trajnerëve më të paguar në futbollin botëror, sipas The Guardian.

Sipas raportimeve, paga e re e trajnerit në “Emirates Stadium” mund t’i afrohet pothuajse asaj të Diego Simeones te Atletico Madridi, i cili përfiton rreth 30 milionë euro në vit — shifër që do ta bënte Artetën trajnerin më të paguar në botë.

Megjithatë, kontrata e re e Artetës nuk është e vetmja punë që drejtuesit e Arsenalit duhet të kryejnë këtë verë, pasi ata po synojnë edhe një ristrukturim të madh të skuadrës. Raportohet se Arteta po i jep përparësi përforcimeve në sulm, teksa Arsenali kërkon të ndërtojë mbi suksesin e arritur në garat vendase.

Sulmuesi i Bournemouthit, Kroupi, është shfaqur si një objektiv kryesor pas një sezoni të shkëlqyer, ku spikati në mënyrë të veçantë dhe theu rekordin e Ligës Premier për numrin e golave të shënuar nga një adoleshent në sezonin e tij debutues.

Kroupi vlerësohet si një opsion i gjithanshëm, i aftë të luajë si në qendër ashtu edhe në krahun e majtë, ndërsa ylli i Atleticos, Alvarez, po ashtu është në shqyrtim, pavarësisht vështirësive financiare që mund të sjellë një marrëveshje e tillë.

Khvicha Kvaratskhelia mbetet një objektiv “ëndrrash”, ndonëse Arsenali pret që Paris Saint-Germain të rezistojë ndaj çdo përpjekjeje për ta transferuar anësorin gjeorgjian.

Drejtori sportiv Andrea Berta po monitoron gjithashtu Bradley Barcola, Nico Ëilliams dhe Anthony Gordon./Telegrafi/