Please enter at least 3 characters.

Rëndësia e formalizimit të një biznesi

2016/01/r-euml-nd-euml-sia-e-formalizimit-t-euml-nj-euml-biznesi_hd.jpg

Nuk është më çështje nëse një biznes duhet të jetë formal ose jo, por se si të elaborohen dhe të dihen arsyet dhe benefitet që biznesi mund t’i ketë përderisa vepron në formalitet

A duhet dhe pse duhet të jetë një biznes formal? Nëse shumica dërmuese pajtohet se përgjigjja duhet të jetë pozitive, atëherë a bëhet kjo vetëm nga frika e përballjes me ligjin dhe ndëshkimet, apo procesi i formalizimit të afarizmit ka edhe arsye tjera?

Në një anë, formaliteti dhe informaliteti në fushën e biznesit janë dukuri që vazhdimisht kanë qenë prezentë në shoqëri dhe shtete, pavarësisht sa primitiv apo i avancuar mund të ketë qenë organizimi i brendshëm apo sistemi ligjor. Biznesi informal është stimuluar kryesisht nga shmangia e tatimeve, duke kthyer kështu vlerën bruto në mënyrë automatike në vlerën neto te afaristët, sepse vlera e parave që është pranuar në këmbim të një shërbimi apo produkti shkon e tëra dhe e pa prekur në xhepin e afaristit.

Por, kjo natyrisht se nuk mund të jetë e tëra. Dekurajimi për t’u futur në ekonominë formale mund të vie edhe nga faktorë të tjerë, si politikat kufizuese, burokracia, mungesa e efikasitetit nga ana institucioneve, korrupsioni, etj.

Nga ana tjetër, disa biznese besojnë se formaliteti dhe informaliteti mund edhe të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore me njëri-tjetrin. Kjo pasi që ka kompani të cilat e kanë parë interesin e tyre që një pjesë të aktiviteteve afariste t’i kenë të deklaruara, kurse disa jo, apo t’i deklarojnë ato në mënyrë selektive duke shfrytëzuar hapësira të ndryshme për t’iu shmangur tatimeve dhe obligimeve të detyrueshme me ligjet në fuqi. Kjo është edhe arsyeja pse, sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti Riinvest në Kosovë, del se bizneset raportojnë mesatarisht rreth 65.6 për qind të shitjeve, duke lënë rreth 34.4 për qind të pa deklaruara. Për më tepër, përqindja e punonjësve të deklaruar del se është ende më pak, rreth 63 për qind. Shikuar nga prizmi makro-ekonomik, kjo tregon se buxheti i shtetit dëmtohet për rreth 1/3 e të hyrave që potencialisht mund t’i inkasojë.

Këto lloj biznesesh kanë shfrytëzuar aktivitetet e tyre formale për të hequr dyshimin dhe për të mbajtur nën hije disa aktivitete tjera, të cilat thua se nuk kanë ndodhur fare.

Të dyja qasjet, informaliteti total dhe ai i pjesshëm, pavarësisht benefiteve të supozuara afatshkurta, paraqesin një praktikë tejet të dëmshme, si për biznesin, po ashtu edhe për të gjitha grupet e interesit, duke filluar nga punëtorët e asaj kompanie të cilëve nuk u paguhen tatimet dhe kontributet pensionale, duke qenë se rreth 37 për qind e të punësuarve në Kosovë nuk deklarohen, e deri tek dëmtimi i arkës së shtetit, që ndikon në zvogëlimin e mundësisë për financimin e projekteve zhvillimore dhe për ngritjen e mirëqenies tek qytetarët. Informaliteti gjithashtu vë në lëvizje edhe një mori efektesh të tjera negative, si dëmtimi i konkurrencës, pa mundësia e mbrojtjes së konsumatorit nga produktet e dyshimta dhe jo standarde, dëmet ekonomike në mungesë të garancionit etj.

Veç kësaj, efektet negative prekin në mënyrë serioze edhe vetë biznesin që vepron në informalitet, duke ditur se ndëshkimet për mos respektimin e ligjeve janë shumë të mëdha në Kosovë. Nga ana tjetër edhe vetë Administrata Tatimore e Kosovës gëzon të drejtën të auditojë dhe të bëjë rishikimin e pasqyrave financiare për 5 vitet e fundit për çdo biznes, kështu që rreziku për to është i pranishëm një kohë të gjatë edhe pas aktiviteteve informale.

Ka shumë arsye pse është e rëndësishme për një biznes të zhvillojë aktivitetet në mënyrë formale.

Qasja në burimet e financimit

Sikundër në vendet tjera, edhe në Kosovë, zhvillimi ekonomik, respektivisht zhvillimi i biznesit privat ka një varësi direkte në burime të financimit, si: për të blerë mjete të punës, për të qenë në hap me teknologjinë, për të ndjekur trendët botëror duke trajnuar stafin, për të ndikuar kështu në një produktivitet të shtuar dhe paralelisht duke ngritur nivelin e cilësisë së produkteve, apo të shërbimeve.

Duke pasur parasysh tregun e Kosovës, një ndër sfidat kryesore me të cilat përballen afaristët është likuiditeti i kompanive. Përjashto këtu kompanitë që u mungon udhëheqja dhe qasja profesionale, edhe për ato që qëndrojnë mirë në këtë aspekt, tregu paraqet sfida serioze sa i përket likuiditetit dhe rrjedhjes së parasë. Duke qenë kështu, domosdo, biznesi i tyre ka nevojë për një mbështetje serioze nga institucionet financiare në përgjithësi dhe nga bankat komerciale në veçanti. Dhe, mu këtu, vjen në shprehje ajo se sa ka qenë biznesi i interesuar të veprojë në tregun formal, sa ka paguar tatime, sa ka raportuar qarkullimin vjetor, sa janë audituar raportet financiare, etj. Për të marrë një linjë kreditore në cilëndo bankë të Kosovës, një biznes duhet të tregojë historinë e veprimtarisë. Ajo nuk tregohet me komunikim verbal, e as me ndonjë tregim suksesi të kësaj kompanie që është botuar në gazetë. Përkundrazi, banka vlerëson biznesin dhe kapacitetin e tij në bazë të parametrave të matshëm për qëndrueshmërinë financiare, dhe këto procese janë në masë të madhe të ngjashme dhe të standardizuara në bankat e Kosovës.

Grantet për zhvillim

Përveç marrjes së kredive, bizneset në Kosovë kanë mundësi të ndryshme sa i përket aplikimit për grante. Në njërën anë komuniteti ndërkombëtar i pranishëm këtu, e në anën tjetër Qeveria e Kosovës, kanë ofruar skema të ndryshme multi-milionëshe të granteve për të ndihmuar bizneset të zhvillohen, të cilat shënjestrojnë industri të caktuara, në periudha kohore të caktuara.

Në këto skema, afaristët kosovar kanë pasur mundësinë të përfitojnë nga blerja e makinerive të reja prodhuese, ndërtimi i objekteve dhe hapësirave të reja, e deri tek blerja e lëndës së parë etj. Grantet në përgjithësi kanë qenë të organizuara në atë mënyrë që të shënjestrohen industri të caktuara, apo sektorë specifik, varësisht nga burimi i grantit, por të gjitha këto kanë pasur gjithmonë një emërues të përbashkët - zbutja e papunësisë dhe zhvillimi ekonomik i vendit.

Duke përjashtuar rastet ku është perceptuar keq-menaxhimi apo abuzimi me këto mjete financiare, afaristët që janë interesuar rreth procedurave të aplikimit për grante janë ballafaquar menjëherë me sfidat që paraqet një biznes informal. Grantet kanë kritere të caktuara, të cilat kanë përjashtuar nga gara ato biznese që nuk kanë histori të dokumentuar.

Nga ana tjetër, përparësi kanë pasur gjithnjë bizneset me një histori të prekshme, reale, ku është dëshmuar serioziteti i kompanisë dhe performanca biznesore, por edhe respektimi i ligjeve, sa i përket lajmërimit të punëtorëve, pagesës së kontributeve pensionale, tatimet, etj. Pra, një biznes që vepron në tregun formal çdo herë ka më shumë shanse të merr grante për zhvillim, duke ndikuar kështu në ngritjen e nivelit e të bërit biznesit, në zbutjen e papunësisë, por edhe në zhvillimin e përgjithshëm të shtetit.

Pos kësaj, në Kosovë çdo herë e më shumë është duke u përforcuar kërkesa për të investuar në asetet më të rëndësishme të cilësdo industri, apo kompani – burimet njerëzore. Organizata ndërkombëtare dhe vendore ofrojnë mundësi të shumta në fushën e konsulencës, e cila po ashtu ka një potencial të madh në zhvillimin e sektorit privat. Ekspertë me përvoja relevante nga tregu i jashtëm dhe i brendshëm janë vënë në dispozicion të kompanive vendore për të ofruar ekspertizën e tyre në menaxhim biznesi, marketing, financa, kontabilitet, etj., në mënyrë që biznesi vendor të jetë në hap me tregun global, aty ku edhe është synimi i shumicës së sipërmarrësve kosovarë. Megjithatë, sikurse edhe në rastet e kredive bankare, apo granteve të tjera zhvillimore, edhe në rastin e përkrahjes për shërbime konsulente, ekzistojnë kriteret që favorizojnë dukshëm biznesin formal dhe përjashtojnë atë informal.

Patjetër formalizim

Nëse kthehemi tek pyetja fillestare se a duhet dhe pse duhet të jetë një biznes formal, atëherë mund të konkludojmë se kjo dilemë është e panevojshme, por më shumë duhet të elaborohen dhe të dihen arsyet dhe benefitet që biznesi mund t’i ketë përderisa vepron në tregun formal. Natyrisht që ato janë të shumta. Por, gjithsesi, nëse një biznes ka synim të bëhet faktor i rëndësishëm në sektorin ku vepron, atëherë është mëse normale që në një kohë te caktuar të ketë nevojë për mbështetje nga bankat me kredi investive për të arritur objektiva strategjike të zhvillimit.

Nga ana tjetër, thithja e fondeve që vijnë nga Bashkimi Evropian, programet e qeverisë Amerikane si USAID, Qeveria e Kosovës dhe nga shumë organizata tjera, bëhet e mundshme vetëm nëse biznesi ka vepruar në tregun formal dhe është përkushtuar për të respektuar ligjet e aplikueshme në Kosovë.