Rektori Hajrullahu: Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinës rrezikon të mbyllet
Për shkak të mos funksionalizimit të objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës, ky fakultet rrezikon të mbyllet.
Kështu deklaroi rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Arben Hajrullahu, i cili tha se deri te kjo situatë ka ardhur “për shkak të uzurpimit të pronës së Universitetit të Prishtinës nga distributori energjetik KEDS.”
Hajrullahu në një konferencë për medie tregoi se nga viti 2013 objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës ka mbetur pa u shfrytëzuar, dhe për pasojë në kushtet aktuale ky drejtim nuk do të mund të akreditohet.
“Që nga 2013 ky objekt nuk funksionalizohet për arsye nga më të ndryshme. Në këtë objekt janë investuar miliona të taksapaguesve të Kosovës dhe ne jemi në këtë gjendje që nëse nuk arrijmë të bëhet funksional objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës, atëherë do të mbyllet fakulteti. Hiq më pak do të na mbyllet fakulteti, nuk kemi asnjë mundësi të akreditojmë programet e fakultetit nëse nuk e kemi objektin. Ne nuk mund t’i zhvillojmë studimet në rrugë apo ara diku, neve na nevojitet një shtëpi e Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinës nuk ka shtëpi”, tha Hajrullahu.
Rektori i UP-së theksoi se më 7 korrik të këtij viti kanë bërë kërkesë urgjente te KEDS për largim të tendave dhe depove nga toka ku është ndërtuar Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinës me qëllim të zhvendosjes edhe të lartpërçuesit të tensionit të lartë.
Në rast se nuk ndodh kjo, Hajrullahu paralajmëroi se do ta bllokojnë hyrjen e KEDS-it.
“Le të largohen tendat dhe depot ilegale që na i kanë vendosur në kampusin e Universitetit të Prishtinës të na mundësohet bartja e lartëpërçuesve në shtyllën e re e cila është financuar po ashtu nga buxheti i UP dhe të gjitha çështjet tjera do të sqarohen në procedura të tjera nuk jemi të interesuar ta tensionojmë situatën. Nëse nuk ndodh kjo iu premtoj publikisht që në fillimin e javës që vjen, ne do t’i ndërmarrim të gjithë hapat se nuk kemi kohë më për të humbur, do t’i ndërmarrim të gjitha hapa që t’i largojmë ato depo ilegale në tokën e UP-së dhe me këtë ta hapim rrugën për funksionalizimin e objektit të ri. Do t’u shkojmë në derë KEDS-it e do t’i pengojmë të hyjnë në shtëpinë e tyre ku e kanë unë së bashku me profesorë, studentë këtu ku e kanë zyrën qendrore dhe do t’ua bllokojmë derën”, theksoi Hajrullahu.
Rektori Arben Hajrullahu deklaroi se pronat e Universitetit të Prishtinës nuk janë të cenuara vetëm nga KEDS-i, por edhe nga bizneset ndaj të cilave bëri thirrje për largim.
“Pronat e Universitetit të Prishtinës kanë qenë për vite dhe dekada nën atak dhe të cenuara ftoj publikisht të gjithë gllabëruesit e UP-së që t’i mbledhin valixhet që në këtë vikend dhe të largohen nga pronat e UP-së, përndryshe ne do t’i dalim zonë pronave të UP-së. E kur e kemi fjalën te kampusi i Fakultetit të Bujqësisë, ne kemi atje edhe biznese të ndryshme pra sikur edhe KEDS, Lesna dhe Jona Med të mos presin me ardhur në situatën e njëjtë siç jemi ardhur me KEDS”, tha Hajrullahu.
KosovaPress ka kontaktuar KEDS-in në lidhje me këtë çështje dhe do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë një përgjigje. /KP/


