Please enter at least 3 characters.

Reali ia beson drejtimin e Castillas një tjetër legjende të klubit

Ish-mbrojtësi i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, është konfirmuar si trajneri i ri i ekipit Castilla për sezonin 2025-2026, ka njoftuar klubi në një deklaratë zyrtare.

“Real Madrid CF njofton se Alvaro Arbeloa do të jetë trajneri i Castilla duke filluar nga sezoni 2025-2026. Ai është një legjendë e klubit dhe një nga figurat më përfaqësuese të futbollit spanjoll,” thuhet në njoftim.

Arbeloa u bashkua me akademinë e Real Madridit në vitin 2001 dhe ishte pjesë e ekipit Castilla që u ngjit në Divizionin e Dytë në sezonin 2004-2005. Ai zhvilloi 238 ndeshje me ekipin e parë midis viteve 2009 dhe 2016, duke fituar dy Liga të Kampionëve, një Botëror për Klube, një Superkupë Europe, një La Liga dhe disa trofe të tjerë të rëndësishëm.

Në arenën ndërkombëtare, Arbeloa ka luajtur 56 ndeshje me Spanjën, me të cilën fitoi Kupën e Botës 2010 dhe dy Kampionate Evropiane, në vitet 2008 dhe 2012.

Pas një periudhe në Liverpool, ku zhvilloi 98 ndeshje, Arbeloa i është përkushtuar karrierës së trajnerit që nga viti 2020 në akademinë e Real Madridit. Ai ka drejtuar ekipet U14, U16 dhe më së fundmi U19.

Si trajner i ekipit U19, ai fitoi tripletën në sezonin 2022-2023 (La Liga, Copa del Rey dhe Copa de Campeones) dhe e mbylli sezonin aktual si kampion i La Liga-s për grupmoshën U19, duke u kualifikuar edhe në gjysmëfinalet e Copa de Campeones.

Arbeloa zëvendëson Raul Gonzalezin, i cili pas shtatë vitesh në krye të Castillas, ka vendosur të largohet nga klubi. Real Madrid e cilëson Arbeloan si përfaqësues shembullor të vlerave të klubit në fushë dhe në stol. /Telegrafi/