Please enter at least 3 characters.

Real Madridi prezanton fanellën e re për sezonin e ardhshëm

Real Madridi ka zbuluar fanellën e re të parë për sezonin 2026/27 në bashkëpunim me kompaninë Adidas. Edhe pse fanella është kryesisht e bardhë tradicionale, prodhuesi Adidas ka shtuar një detaj të ri - tre vija të gjera rozë në mëngë.

Adidas thotë se fanella përmban detaje të ndërlikuara që nxjerrin në pah trashëgiminë e klubit.

"Fanella përmban një dizajn modern që përfshin elementë grafikë të frymëzuar nga xhevahiret e kurorës së stemës së klubit, duke reflektuar përsosmërinë, mjeshtërinë dhe mentalitetin fitues të klubit", thuhet në faqen zyrtare.

Krahas vijave rozë, ngjyra e bardhë e fanellës plotësohet nga detaje të gjelbra të errëta në jakë dhe në mëngë.

Prodhuesi shton se fanella është "e projektuar për të përmbushur standardet më të larta të futbollit profesional dhe përmban teknologjinë më të fundit të Adidas për të siguruar rrjedhjen maksimale të ajrit dhe për t'i mbajtur lojtarët të freskët gjatë ndeshjeve".

Ndryshe, Real Madridi vjen pas një sezoni të pasuksesshëm në të cilin nuk arriti të fitonte asnjë trofe dhe shpreson të ketë më shumë sukses me fanellën e tyre të re. /Telegrafi/