Reagime të politikanëve, ikonave të sportit dhe liderëve botërorë – pas vdekjes së Silvio Berlusconit
Silvio Berlusconi, ish-kryeministri i Italisë dhe manjati i biznesit, ka vdekur në Milano në moshën 86-vjeçare.
Politikanët, ikonat e sportit dhe liderët botërorë po i bëjnë homazhe figurës që transformoi politikën italiane dhe u bë i njohur edhe për skandalet e tij financiare dhe seksuale.
Më poshtë ua sjellim disa reagime të tyre:
Ndërsa kryeministri popullist i Hungarisë, Viktor Orban, tha në një postim në Twitter: "Iku luftëtari i madh", kryeministrja e Italisë i tha lamtumirën Berlusconit në një video-mesazh, duke thënë: "Berlusconi ishte mbi të gjitha një luftëtar".
"Ai ishte një njeri që nuk kishte frikë të mbronte bindjet e tij dhe ishte pikërisht ai guxim dhe vendosmëri që e bëri atë një nga njerëzit më me ndikim në historinë e Italisë", ka thënë Georgia Meloni.
E Matteo Salvini, zëvendëskryeministri i Italisë, e quajti Berlusconin "një njeri i madh dhe një italian i madh".
Matteo Renzi, ish-kryeministri italian dhe udhëheqësi i partisë politike liberale Italia Viva, tha në një postim në Twitter: “Silvio Berlusconi bëri histori në këtë vend”.
“Të gjithë sot duhet të pranojnë se ndikimi i tij në jetën politike, por edhe ekonomike, sportive dhe televizive ishte i paprecedentë”, shtoi ai, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë Carlo Ancelotti, tani trajner i klubit të futbollit Real Madrid, tha: “Trishtimi i sotëm nuk i fshin momentet e lumtura të kaluara së bashku. Mbetet një mirënjohje e pafund për presidentin, por mbi të gjitha për një njeri besnik, inteligjent, i sinqertë, themelor në aventurën time si futbollist fillimisht dhe më pas si trajner”.
Ndryshe, Ancelotti fitoi Ligën e Kampionëve si trajner i Milanit kur klubi ishte në pronësi të Berlusconit.
Veç këtyre, një reagim ka ardhur edhe nga Roberta Metsola, presidente e Parlamentit Evropian, e cila iu referua Berlusconit si "luftëtari që udhëhoqi qendrën e djathtë dhe që ishte protagonisti i politikës në Itali dhe Evropë për breza".
Kryeministri holandez Mark Rutte tha: “Italia ka humbur një personalitet të madh”.
https://twitter.com/MinPres/status/1668200043063410691?s=20
“Ai ishte kryeministri i parë italian me të cilin punova dhe do ta kujtoj si një politikan të mrekullueshëm dhe pasionant”, tha ai në një postim në Twitter.
Si një ish-kryeministër i Sllovenisë, Janez Jansha, i shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e liderit italian, duke e cilësuar atë si një "mik të mirë të Sllovenisë". /Telegrafi/


