Reagime të ashpra pasi u raportua se Glauk Konjufca e quajti “frizerkë” Vjosa Osmanin
Deklarata e ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ndaj ish-presidentes Vjosa Osmani, për të cilën u raportua se e quajti “frizerkë”, ka nxitur reagime të shumta nga skena politike në Kosovë.
Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Fahrije Hoti, e cilësoi deklaratën si nënçmuese ndaj grave, duke thënë se “sot sulmohen frizerkat, nesër çdo grua që guxon të punojë, të ndërtojë dhe të ecë përpara”.
“Kosova nuk ecën përpara duke nënçmuar gratë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Edhe kandidatja tjetër për deputete, Albena Reshitaj, reagoi ndaj deklaratës së Konjufcës, duke thënë se përmes ofendimeve të tilla shfaqen paragjykimet dhe nënvlerësimi ndaj grave.
Sipas saj, presidentja Osmani e ka përfaqësuar Kosovën me dinjitet në arenën ndërkombëtare, ndërsa “frizerkat” janë gra punëtore që kontribuojnë çdo ditë në shoqëri.
“Ato ndërtojnë biznese të suksesshme, mbajnë familje dhe paguajnë taksa. Përqeshja e tyre është mungesë respekti për punën e ndershme dhe për vetë gruan”, deklaroi Reshitaj.
Reagim pati edhe nga nënkryetarja e Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, e cila tha se njeh shumë frizerë dhe frizere që punësojnë dhjetëra njerëz dhe mbajnë familje me punën e tyre.
Ajo shtoi se përdorimi i këtij profesioni si formë përçmimi ndaj një gruaje është “edhe më i turpshëm”.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, tha se gjuha e përdorur nga Konjufca ishte seksiste dhe kritikoi faktin që, sipas saj, asnjë grua nga Lëvizja Vetëvendosje nuk u distancua nga deklarata.
Ajo shtoi se ishte “e dhimbshme” të shihte gra të tjera duke buzëqeshur gjatë momentit kur u përdor ky epitet ndaj Osmanit./Telegrafi.


