Please enter at least 3 characters.

Rama: Qenka organizuar makineria propaganduese e LVV-së kundër meje në ditën e Kuvendit të LDK-së

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pasi këshilltarët komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje njoftuan se kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj tij dhe disa zyrtarëve të kabinetit, lidhur me dyshime për parregullsi në procesin e legalizimit të objekteve në kryeqytet.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka lënë të kuptohet se akuzat kanë prapavijë politike, duke i lidhur ato me mbajtjen e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Krejt makineria propaganduese e Vetëvendosjes qenka qu n’aksion kundër meje, sot në ditën e kuvendit të LDK-së! Interesant!”, ka shkruar Rama.

Më herët gjatë ditës, këshilltarët komunalë të VV-së në Prishtinë, Berita Abazi dhe Çlirim Gerbeshi, në një konferencë për media deklaruan se kanë pranuar një email sinjalizues, i cili sipas tyre përmban komunikime që ngrenë dyshime për legalizime të jashtëligjshme të objekteve dhe përmendje të shumave të mëdha të parave.

Ata bënë të ditur se, mbi bazën e këtyre dyshimeve, kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit Rama dhe zyrtarëve të kabinetit të tij, duke kërkuar që organet e drejtësisë të hetojnë rastin.

Ndryshe, përveç kësaj, të enjten gjatë ditës kanë qarkulluar disa "screenshot", në platformën sociale Snapchat, në të cilat janë përmendur emra të kabinetit të Ramës./Telegrafi.