Rama pezullon nga puna tre zyrtarë komunalë pas arrestimit të tyre
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka marrë vendim për pezullimin nga puna të tre zyrtarëve komunalë, pas arrestimit të tyre nga organet e rendit.
“Sot kam marrë vendim për pezullimin nga puna të tre zyrtarëve komunalë, pas arrestimit të tyre”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.
Ai ka bërë të ditur se masa e pezullimit do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore, duke theksuar përkushtimin institucional ndaj ligjshmërisë dhe transparencës.
“Pezullimi nga puna do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore, ndërkohë që ritheksojmë përkushtimin për ligjshmëri, transparencë dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit”, ka theksuar Rama.
Kryetari i Kryeqytetit ka shtuar se institucioni që ai drejton do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë dhe do të veprojë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Institucioni i Kryeqytetit do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative në përputhje me ligjin”, ka deklaruar ai.
Në fund, Rama ka theksuar se shërbimet publike duhet të ushtrohen me integritet dhe përgjegjësi, duke nënvizuar parimin se “askush nuk është mbi ligjin”. /Telegrafi/


