Please enter at least 3 characters.

Rama: Për këtë Sunny Hill para 4 viteve më shpallët hajn, sot po thurni lavde e po krenoheni me të

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar në rrjetet sociale për Sunny Hill Festival, i cili po zhvillohet në Bërnicë dhe sonte (2 gusht) mbyll edicionin me natën e tretë dhe të fundit.

Rama ka rikujtuar debatet dhe kundërshtimet që festivali kishte hasur disa vite më parë, duke kritikuar ata që, sipas tij, kishin tentuar ta pengonin organizimin e tij.

“Për këtë Sunny Hill, para 4 vjetëve s’keni lon asnjë mjet pa përdor për me e blloku. Mu m’patët shpallë hajn".

"Sot, për të njëjtin festival, po thurni lavde e po krenoheni me të”, ka shkruar Rama ndër tjerash.

Sunny Hill Festival këtë vit ka sjellë dy net spektakolare me performanca të artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, duke mbledhur mijëra vizitorë nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës.

Atmosfera e krijuar gjatë dy netëve të para ka kthyer Bërnicën në një pikëtakim të adhuruesve të muzikës, ndërsa nata e tretë pritet të vazhdojë me performanca të tjera dhe me të njëjtën energji të publikut.

Sunny Hill Festival ndër vite është shndërruar në një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në rajon, duke sjellë në Kosovë emra të njohur të skenës ndërkombëtare dhe duke e vendosur vendin në hartën e festivaleve globale.

Përmes muzikës, kulturës dhe numrit të madh të vizitorëve nga jashtë, festivali ka kontribuar në promovimin e Prishtinës dhe Kosovës si një destinacion i rëndësishëm për ngjarje të mëdha artistike. /Telegrafi/