Please enter at least 3 characters.

Rama: Hekuran Murati nuk e nënshkroi marrëveshjen, dështoi granti gjerman për “Pastrimin”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas njoftimit të KfW-së për dështimin e grantit të Qeverisë gjermane për projektin e “Pastrimit”.

Rama ka akuzuar ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, se nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen e Financimit, duke e cilësuar këtë si shkak të dështimit të projektit.

“E kemi ndihmën e Qeverisë gjermane. E kemi partnerin. E kemi projektin. E kemi nevojën urgjente. Por Hekuran Murati nuk e nënshkruan”, ka shkruar Rama.

Ai ka thënë se situata me mbeturinat në kryeqytet është e rëndë dhe se qytetarët nuk duhet të paguajnë pasojat e, siç i ka quajtur, “bllokadave”.

Për këtë arsye, Rama ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës ka marrë vendim për krijimin e Ndërmarrjes Komunale të Pastrimit, me synimin që problemi të zgjidhet përmes kompetencave të Kryeqytetit.

“Do t’i përdorim krejt kompetencat që i kemi si Kryeqytet për ta zgjidhur këtë problem vetë”, ka deklaruar Rama, duke paralajmëruar se çështja do të trajtohet me urgjencë në seancën e radhës të Kuvendit Komunal. /Telegrafi/