Please enter at least 3 characters.

Rama e dërgoi në Kushtetuese, reagon ministri Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese me arsyetimin se Ministria e Financave po cenon buxhetin e kryeqytetit.

Murati ka akuzuar ish-kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për “dështim katërvjeçar” në qeverisjen e kryeqytetit, duke theksuar se Komuna e Prishtinës nuk ka arritur të miratojë buxhetin në afatet ligjore për vitin 2025.

Në një reagim publik, Murati kujtoi se deri më 30 shtator 2024 komuna nuk e kishte miratuar projekt-buxhetin, duke humbur edhe mundësinë e dytë më 31 tetor, kur Ministria e Financave dërgoi për miratim në Qeveri buxhetin e konsoliduar pa përfshirë Prishtinën. Edhe pas miratimit të buxhetit në Kuvend më 11 nëntor në lexim të parë, komuna nuk e shfrytëzoi mundësinë për ta miratuar projektin e saj për t’u përfshirë ndërmjet dy leximeve.

“Projekt-buxheti i Prishtinës u miratua në asamble vetëm më 9 dhjetor 2024, pasi kishin kaluar të gjitha afatet ligjore dhe pas seancës së fundit të legjislaturës”, tha Murati, duke shtuar se i vetmi opsion i mbetur është ndryshimi i Ligjit të Buxhetit nga legjislatura e re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Sipas tij, Përparim Rama po tenton ta justifikojë këtë dështim përmes “viktimizimit para votuesve”, ndërsa theksoi se qytetarët e Prishtinës “nuk do të mashtrohen më, pasi njëherë i ka keqpërdorur besimin e tyre”./Telegrafi/