Please enter at least 3 characters.

Rahimaj takon ministren Kusari-Lila, diskutohet ndërtimi i Zonës Ekonomike në Kamenicë

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka zhvilluar një takim me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ku temë kryesore e diskutimit ishte mundësia e ndërtimit të Zonës Ekonomike në Kamenicë.

Në takim morën pjesë edhe drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Edon Dërmaku, si dhe deputeti i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Ilir Kërqeli.

Sipas Rahimajt, gjatë takimit është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, me fokus krijimin e Zonës Ekonomike.

“Në takim me ministren Mimoza Kusari, së bashku me drejtorin Edon Dërmaku dhe deputetin Ilir Kërqeli, kemi biseduar për mundësitë e bashkëpunimit, dhe konkretisht për mundësitë për ndërtimin e Zonës Ekonomike”, ka deklaruar Rahimaj.

Ai ka theksuar se ky projekt ka rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik të komunës.

“Zona ekonomike ka rëndësi strategjike për Komunën e Kamenicës dhe synon të krijojë kushte të përshtatshme për ekonominë lokale dhe për investitorët potencialë në të ardhmen”, ka shtuar ai.

Rahimaj ka bërë të ditur se Komuna e Kamenicës do të vazhdojë angazhimin për përgatitjen e dokumentacionit, vendimeve dhe studimeve të nevojshme për themelimin e Zonës Ekonomike.

Nga ana tjetër, sipas Komunës, ministrja Mimoza Kusari-Lila ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim në realizimin e këtij projekti, i cili synon të krijojë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve në Kamenicë. /Telegrafi/